20:23 / E Enjte, 06 Gusht 2020

​Vdekjet në 6 mujorin e parë, më shumë në 2019 se sa gjatë periudhës me pandemi

Përkundër faktit se nga pandemia Covid-19, që nga fillimi i marsit e deri sot, kanë vdekur 300 persona, sipas statistikave zyrtare, në gjashtë mujorin e këtij viti kishte më pak vdekje se sa në gjashtë mujorin e njëjtë të vitit 2019.

Sipas Agjencisë së Statistikave, në 6 mujorin e vitit të kaluar janë vdekur 4.800 persona. Kurse, në gjashtë mujorin e këtij viti kanë vdekur 4442 persona.

Sipas Agjencisë, në janarin e vitit të kaluar kanë vdekur 873, në shkurt 775 persona, në mars 897 persona, në prill 769 persona, në maj 743 persona dhe në qershor 743 persona.

Në krej këtë periudhë, më së shumti vdekje ka në Prishtinë, ku më së pak janë 70 vdekje në muaj dhe më së shumti 118.

Kurse, në vitin 2020, konkretisht në janar kanë vdekur 918 persona, në shkurt 745 persona, në mars 831 persona, në prill 481 persona, në maj 778 persona dhe në qershor 629 persona.

Derisa në muajin korrik të vitit 2019, kanë vdekur 761 persona, në ASK thonë se për muajin korrik ende nuk kanë të dhëna.

Në ASK kanë sqaruar se për shkaqet e vdekjeve, të dhënat statistikore do të publikohen në qershor të vitit 2021.