17:55 / E Diele, 29 Nëntor 2020 / Blerina Racaj

​Zviceranët votojnë kundër përgjegjësisë ligjore të ndërmarrjeve për shkak të operacioneve jashtë vendit

Votuesit zviceranë në referendumin e sotëm nuk miratuan një propozim që parashikonte mbikëqyrje më të rreptë dhe përgjegjësi ligjore të kompanive me seli në Zvicër nëse shkelin të drejtat e njeriut ose dëmtojnë mjedisin në vendet e tjera.

Një shumicë e ngushtë e votuesve, 50.7 për qind, votuan për propozimin e iniciativës “Kompanitë e përgjegjshme për mbrojtjen e njerëzve dhe mjedisit”, ndërsa 49.3 ishin kundër. Propozimi nuk u miratua sepse shumica e kantoneve zvicerane votuan kundër. Në mënyrë që propozimi të miratohet në një referendum në Zvicër, ai duhet të marrë shumicën dhe numrin e përgjithshëm të votave dhe kantoneve.

Qeveria zvicerane kundërshtoi propozimin, i cili u promovua nga grupe të majta dhe disa organizata jo-qeveritare me ndikim, duke deklaruar se masa e re do të dobësonte konkurrencën e Zvicrës në treg.

Nëse propozimi do të miratohej, kompanitë e mëdha me qendër në Zvicër do të bëheshin përgjegjëse para gjykatave të vendit për aktivitetet e tyre ose veprimtarinë e degëve të tyre ose nënkontraktuesve në vendet e tjera nëse nuk provojnë se kanë kryer kontrolle adekuate paraprakisht.

Sikur votuesit të kishin mbështetur futjen e masës, kompanitë me qendër në Zvicër do të ishin më përgjegjëse për dëmet e mundshme.

Masa mund të prekë kompanitë shumëkombëshe si Glencore, një gjigant në industrinë e minierave, ose firma bujqësore Syngenta, të cilat herë pas here janë përballur me kritika për aktivitete jashtë vendit.

Parlamenti zviceran ka propozuar një kundërmasë që parashikon gjithashtu kontrolle më të rrepta në lëvizjet e kompanive të tilla.

Sipas masës, e cila duhet të hyjë në fuqi pasi propozimi nuk u miratua në referendum, kompanitë nuk do të duhet të përgjigjen para gjykatave zvicerane dhe fokusi është në aktivitete të tilla si minierat minerare në zonat e konfliktit ose puna e fëmijëve.

Në referendumin e sotëm, votuesit refuzuan gjithashtu propozimin që banka qendrore zvicerane dhe fondet e pensionit të ndalohen të financojnë prodhimin e armëve të destinuara për eksport, nga pistoletat te tanket. Propozimi u refuzua nga shumica e votuesve dhe kantoneve.

Referendumi duhej të mbahej në maj, por u shty për shkak të pandemisë së virusit koronar.