17:51 / E Mërkurë, 09 Tetor 2019 / indeksADMonline

​​Kosova U21 nis përgatitjet, shpresojnë në rezultat pozitiv ndaj Shqipërisë

Kosova U21 ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Shqipërisë.

Sot në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas përzgjedhësi, Rafet Prekazi pati nën urdhërat e tij të gjithë lojtarët e ftuar për këtë ndeshje.

Kosova U21 për këtë ndeshje do të ketë disa mungesa, duke filluar nga Arton Zekaj e Lirim Mema, si dhe Arbenit Xhemajli e Lirim Kastrati, dy të fundit të ftuar nga Kombëtarja A e Kosovës për ndeshjen ndaj Gjibraltarit dhe Malit të Zi. Mirëpo KosovaPress mëson se Arbenit Xhemajli pritet të rikthehet tek Kosova U21 pas ndeshjes ndaj Gjibraltarit, ndërsa në pikëpyetje mbetet Lirim Kastrati.

Sulmuesi i Hannoverit, Valdrin Mustafa pas stërvitjes së parë u shpreh se ata janë të gatshëm për ndeshjen ndaj Shqipërisë dhe shpreson që të dalin triumfues nga ndeshja e cila zhvillohet në “Elbasan Arena”.

“Stërvitja e parë ka qenë shumë e mirë. Kemi disa lojtarë të ri, besoj që kemi kaluar sot shumë mirë dhe tash përgatitemi për lojën ndaj Shqipërisë. Ne besojmë se do të japim maksimumin, çdo lojtarë dhe besoj që kemi me luajt një lojë shumë të mirë dhe do të marrim 3 pikë sërish në Kosovë. Normal është një lojtarë shumë i rëndësishëm për ne, por i kemi disa lojtarë të ri dhe besoj që mund të përballojmë këtë gjë, nëse nuk mund Lirim Kastrati me ardhur tek ne për të na ndihmuar”, tha Mustafa.

Ndërkohë Kreshnik Hajrizi për ndeshjen ndaj Shqipërisë theksoi se ata i kemi vëllezër, por brenda fushës së gjelbër gjërat ndryshojnë.

“Mirë shumë, jemi bërë të gjithë bashkë sërish. Ambienti është i mirë dhe jemi gati për ndeshjen me rëndësi që e kemi ndaj Shqipërisë. Fitore, duhet me fituar patjetër, janë pikë shumë me rendësi për ne. Shqipëria është si Kosova, por në fushë nuk ka shoqëri. Ne jemi gati jemi futbollistë, e dimë qysh me reaguar në fushë”, tha Hajrizi.

Valon Hamdiu, mesfushori kosovar i cili luan tek skuadra zvicerane Winterthur u shpreh se përgatitjet për këtë ndeshje kanë filluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pret një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.

“Stërvitja ka qenë shumë e mirë djemtë janë shumë të motivuar, të gjithë po japin 100% dhe kështu vazhdojmë. Ka me qenë ndeshje e vështirë, por shumë e rëndësishme për ne, kështu që do të hyjmë në ndeshje për të fituar, por do të jetë e vështirë”, tha Hamdiu.

Ndeshja mes Kosovës dhe Shqipërisë zhvillohet me 15 tetor./Indeksonline/