Tahiri: Fuqizimi i sundimit të ligjit, i pa alternativë
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, u takua sot me Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera.
Në takim, ku ishin pjesëmarrës edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi dhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, u diskutua lidhur me përmbushjen e Agjendës së Reformës Evropiane.
Tahiri me këtë rast, njoftoi drejtoreshën Ruiz-Calavera se tashmë Ministria e Drejtësisë ka përmbushur obligimet e dala nga Agjenda e Reformave Evropiane, duke hartuar Pakon e Ligjeve për Gjyqësorin, Pakon e Ligjeve Kundër Korrupsionit, si dhe me nisjen e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.
“Fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë është i pa alternativë dhe ndërlidhet me ndërtimin e rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo nënkupton që puna jonë është dhe do të bëhet edhe më e vështirë, pasi nënkupton përmbushjen e pritshmërive që vetë i kemi vendosur, në mënyrë që të arrijmë rezultate për vendin tonë. Këto rezultate nënkuptojnë bërjen e gjyqësorit më efikas, përmirësim në fushën e respektimit të të drejtave njerëzore, luftimit me sukses të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe krijimit të një atmosfere të duhur për të bërë biznes dhe për tërheqjen e investimeve të huaja” tha Tahiri.
Gjatë raportimit, Tahiri tha se në punën në ndryshimet ligjore, janë udhëzuar nga parimet mbi të cilat është ndërtuar vetë Bashkimi Evropian.