14:43 / E Hënë, 04 Prill 2022 / LB

​1 vit nga zgjedhja e presidentes Vjosa Osmani, PDK e quan marionetë të Kurtit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot bënë 1 vit prej kur ka marrë detyrën në krye të shtetit.

Kritika ndaj punës së saj adreson partia opozitare, PDK, të cilët e quajnë marionetë të kryeministrit Albin Kurti, ndërsa njohësit e rrethanave politike konsiderojnë se roli i presidentes Osmani në përgjithësi ka qenë korrekt, por ka pasur raste kur ka përkrahur politikat e shefit të ekzekutivit.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, thotë se presidentja Osmani nuk e ka pasur rolin unifikues që të sigurojë unitet në spektrin politik.

Ai thotë se e para e shtetit ka dështuar edhe në politikën e jashtme, pasi të gjitha vizitat e saj nuk kanë pasur asnjë efekt për Kosovën.

“Presidentja përveç që ka shërbyer si marionetë e zotëri Kurti nuk kemi pa që për tema të rëndësishme të ketë një qëndrim të hapur. E pamë se për temën e fundit të zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk u deklarua fare, kryesisht merret me disa vizita që nuk kanë ndonjë efekt për Kosovën. Mund të ketë ndonjë efekt personal, nuk e ka pas rolin unifikues që të sigurojë unitetin. Kemi pa ndërhyrje në KQZ deri në shkarkimin e zonjës Daka që e ka vlerësuar edhe BE-ja. Kemi rol të zbehtë të saj në Kosovë nuk është duke e kryer detyrat që i ka në politikën e jashtme dhe as të brendshme. Është në shërbim kryekëput të koalicionit qeverisës”, thotë ai për KP.

Punën e presidentes Osmani, njohësi i rrethanave politike, Artan Muhaxhiri e sheh në frekuenca të njëjta me kryeministrin, Albin Kurti.

Ai thotë se qasja e saj ka qenë më ceremoniale.

“Mandati i presidentes Osmani ka qenë në përputhje të plotë me mënyrën si ka ardhur në këtë post, duke qenë në frekuenca identike me kryeministrin Kurti dhe idetë e tij dhe qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje në përgjithësi. Prandaj nuk mund të shkëpusim nga ky binom sepse si presidente qasja ka qenë më e ndryshme më ceremoniale, por në përgjithësi mund të thuhet se ka qenë një punë korrekte, me disa çështje sikur rasti i Valdete Dakës dhe disa të tjera që ka qenë më shumë në favor të politikave të kryeministrit Kurti se në rolin e saj unifikues”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Muhaxhiri thotë se edhe vizitat e Osmanit karshi vendit kanë mundur të jenë më kualitative.

“Vizitat e presidentes Osmani kanë mundur të jenë më kualitative më substanciale, konkretisht në vendet të cilat kanë një ndikim më të madh në aspektin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të rajonit tonë. Mirëpo kjo ka qenë sërish në përputhje me një qasje të përgjithshme të lidershipit kosovar edhe të qeverisë dhe parlamentit”, thekson ai.

Ndërkohë, nga Zyra e Presidentes nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KP.

Mirëpo, ditë më parë, këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha se e para e vendit ka realizuar një sërë takimesh në arenën ndërkombëtare.

“Bilanci tre mujor i takimeve ndërkombëtare të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka si të përshkruhet ndryshe, përpos si angazhim maksimal në përfaqësimin e Kosovës në forume dypalëshe dhe ato shumëpalëshe. Faktet flasim më shumë se fjalët. Gjatë periudhës tremujore 1 janar 2022-31 mars 2022 janë realizuar: Takime me krerë shtetesh: 9. Takime me kryeministra: 8. Takime me kryetarë kuvendesh: 5. Takime me drejtues të organizatave ndërkombëtare: 6. Takime me ministra të Jashtëm: 10. Si dhe takime të tjera me delegacione të larta nga Shtëpia e Bardhë, telefonata me krerë shtetesh, takime me senatorë e anëtarë të parlamenteve nga SHBA-ja, BE -ja dhe shtete të tjera. Takimet përfshijnë edhe shtete jo njohëse”, ka shkruar ai në rrjetin social “facebook”.

Vjosa Osmani është zgjedhur presidente në Kuvendin e Kosovës më 4 prill të vitit 2021.