11:52 / E Hënë, 17 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​12 vjet shtet, qytetarët nderojnë Adem Jasharin

Në 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës qytetarë të shumë ia kanë mësyrë sot Prekazit legjendar të Drenicës për të nderuar të rënët e familjes së komandantit Adem Jashari që ranë heroikisht në luftën e madhe për lirinë e Kosovës.

Në kompleksin “Adem Jashari”, ku prehen trupat e 50 të rënëve të familjes Jashari, që u vranë më 5 mars të vitit 1998, u bënë homazhe ndërsa qytetarët edhe vizituan kullën e Jasharajve.

Për qytetarët që ishin sot në Prekaz, Dita e Pavarësisë është ditë e shenjtë ndërsa vlerësojnë lart kontributin që ka dhënë kjo familje për çlirimin e Kosovës.

Për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adnan Koca, në Prekazin e Jasharajve janë të vendosura themelet e pavarësisë së Kosovës. Koca thotë se në çdo datë e festë të veçantë e nis duke nderuar të rënët e familjes Jashari.

“Si çdo herë datat apo festat e veçanta unë i filloj këtu pasi kam qenë edhe ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E di që e kemi borxh çdo njëri, kështu që fillimi i gjithçka nisi këtu, edhe pavarësia e Kosovës i ka themelet këtu për ata që e dinë”, tha ai.

Homazhe dhe nderime te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz kishte ardhur të bëjë edhe qytetari Sokol Gashani, i cili tha se ditët festive si kjo e pavarësisë së Kosovës, qytetarëve u japin energji dhe fuqi, por edhe obligim që të punohet më shumë.

Ky qytetar pati edhe një këshill për elitën politike në vend duke u kërkuar që të tregohen unikë.

“Kjo ditë neve na jep energji, fuqi, por në të njëjtën kohë na obligon që t’i kryejmë detyrat tona me ndershmërinë më të madhe që të çojmë në vend mundin dhe jetën që e kanë dhënë gjeneratë pas gjenerate dhe të gjithëve u përkulemi për atë që kanë bërë… Edhe këta 12 vjet nuk mund të mos t’i quajmë të suksesshme, por sigurisht ka hapësirë dhe vend që të përmirësohemi dhe të jemi të kujdesshëm dhe sa më unikë. Të gjitha partitë të punojnë për të mirën e mundshme duke shkëmbyer idetë”, u shpreh ky qytetar.

Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz sot ka ardhur ta vizitojë edhe Hamëz Osmani i cili për KosovaPress tha se asnjëherë më të gëzuar se sot nuk janë. Sipas tij, Prekazi lindi trima që i dolën ballë okupatorit serbë, prandaj ai shpreson që kosovarët do të vazhdojnë të jenë të bashkuar për të kundërshtuar ata që nuk e duan Kosovën.

“Kurrë më të gëzuar se kur e festojmë pavarësinë e Kosovës dhe kur e vizitojmë këtë vend ku janë lindur djem, vajza e njerëz trima që iu kanë kundërvë në gjithmonë kundërshtarit. Rënia e tyre dhe organizimi i luftës ne na ka sjellë në këtë gjendje ku jemi sot… Shpresoj të zhvillohemi të bëhemi unikë. Njerëzit sot nuk e harrojnë rënien e tyre dhe të bashkuar t’i arrijmë të gjitha”, u shpreh ai.

Në 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari në Prekaz kanë bërë edhe bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, si dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.