17:30 / E Diele, 07 Gusht 2022 / AR

​15 mijë euro depozitë për shëtitje në Mont Blanc

Kushtet në Mont Blanc tani janë aq të rrezikshme sa që alpinistët duhet të paguajnë një depozitë 15 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e shpëtimit dhe varrimit të mundshëm, paralajmëroi kryetari i bashkisë së qytetit francez të Saint-Gervais, Jean-Marc Peillex.

Mungesa e borës së dimrit dhe nxehtësia ekstreme e kësaj vere kanë destabilizuar shkëmbinjtë dhe e kanë bërë të vështirë kalimin e çarjeve, dhe nxehtësia, që i atribuohet ndryshimeve klimatike, ka rritur rrezikun e ortekëve në Alpe pasi shkrihen akullnajat.

Peillex theksoi për BBC se vala e të nxehtit ndikoi që të bënte më të shpeshta rëniet e gurëve dhe se ata që injoruan paralajmërimet dhe morën rrugën Guter deri në mal po luanin “ruletë ruse”.

Ai deklaroi se kostoja mesatare e shpëtimit të njerëzve në mal është 10 mijë euro, ndërsa varrimi 5 mijë euro dhe vlerësoi se është e papranueshme që taksapaguesit francezë t’i mbulojnë këto shpenzime.

Ai kritikoi ata që e vizitojnë këtë mal pa u përgatitur dhe pa i respektuar rregullat.

Si shembull, ai përmendi një grup rumunësh që u gjetën më 30 qershor teksa kishin veshur pantallona të shkurtra dhe atlete. Ai tha se alpinistët rumunë u thirrën me altoparlant në helikopterin e policisë për t’u kthyer dhe se ata u përgjigjën se do të ktheheshin një ditë më vonë.

Peillex shpjegoi se shuma e depozitave për alpinistët duhet të jetë e madhe për të tërhequr vëmendjen për problemin.

Mont Blanc ka 11 maja mbi 4000 metra në Francë dhe Itali dhe zakonisht tërheq qindra-mijëra turistë çdo vit.

Çdo vit, qindra operacione shpëtimi kryhen në masiv dhe regjistrohen disa dhjetëra vdekje të alpinistëve.