11:58 / E Mërkurë, 12 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​Akuzohen për koktej Molotovi, anëtari i PSD-së e quan gjykim politik

Në Departamentin special të Gjykatës Themelore të Prishtinës sot është mbajtur seanca për shqyrtimin fillestar për dy aktivistët e PSD-së, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça, dhe aktivistit të Vetëvendosjes, Ç.G, që akuzohen për veprën “Përgatitje të veprës terroriste”.

Kjo seancë u mbajt e mbyllur pas aktvendimit që mori kryetarja e trupit gjykues, Albina Rama e cila tha se seancat për këtë rast do të mbahen të mbyllura, pasi që i akuzuar Ç.G është i mitur. 

Madje ajo përmes aktvendimit ndaloi edhe zbulimin dhe të gjitha të dhënat për të miturin që akuzohet për ‘Përgatitje të veprës terroriste’

“”Meqenëse në mesin e të dyshuarve për këtë vepër penale gjykata konform nenit 47 dhe 66 të Kodit të Drejtësisë për të mitur përjashtohet publiku në këto seanca tani e tutje për këta persona do jenë të mbyllura. Po ashtu njoftoj se çdo e dhënë me zbulimin e identitetit e të miturit nuk guxon të dal në media”, tha ajo.

Kurse, pas përfundimit të seancës i akuzuari, Gëzon Kastrati tha se sot është mbajtur vetëm seanca fillestare për këtë rast dhe se kanë mundësi për 30 ditë t’i lexojnë provat dhe ta kundërshtojnë aktakuzën.

Sipas tij është e paarsyeshme se si gjykata i ka lënë të lirë deri tani dhe vetëm tani ka nisur procesin ndaj tyre.

Kastrati e kundërshtoi faktin që seancat të mbahen të mbyllura për këtë rast se sipas tij Ç.G nuk është më i mitur. Ai, thotë se ka qenë i mitur në kohën kur akuzohet se e ka kryer veprën.

“Mua më vjen shumë keq që seanca ka qenë e mbyllur arsyetimi i gjykatës ke që është një i mitur edhe pse ai nuk është i mitur, ka qenë në rastin kur akuzohet por tash i ka diku 19 vite ose 20 vite…Ne akuzohemi për kinse përgatitje të veprës terroriste ku një rast kanë shkuar në depo të Vetëvendosjes një rast që është shumë i dyshimtë, kur t’i analizojmë provat keni me e pa që nuk ka absolutisht asgjë që mund të na akuzojnë neve, thjesht është gjykim politik”, tha Kastrati.

Gëzon Kastrati dhe Korab Korça, të cilët tani janë pjesë e PSD-së dhe Ç.G. pjesë e Vetëvendosjes akuzohen për koktej molotovët që janë gjetur në zyrat e Vetëvendosjes më 2016.