18:30 / E Enjte, 05 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

​Analistët: Ndarja e ministrive nuk rrezikon arritjen e marrëveshjes VV-LDK

Gjatë ditës së sotme nuk ka pasur ndonjë takim në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të arritur një marrëveshje rreth koalicionit qeverisës. Pavarësisht kësaj analistët politik nuk shohin ndonjë mundësi që këto bisedime të dështojnë, madje thotë se një koalicion mes këtyre dy partive është e vetmja alternativë.

Të dy partitë, gjatë ditës së hënë kanë dështuar të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës, pasi që nuk kanë arritur të dakordohen për ndarjen e posteve.Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon që të marrë kryetarin e Kuvendit, presidentin dhe pesë ministri, por që kjo nuk po pranohet nga Lëvizja Vetëvendosje.Nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjuca, gjatë një emisioni televiziv ka deklaruar se nëse LDK insiston se duhet të ketë presidentin, kryeparlamentarin dhe ndarjen e ministrive 50-50, atëherë marrëveshja është e paarritshme. Ai kishte deklaruar se kryeministrin e zgjedh populli, por jo edhe presidentin.E pas kësaj deklarate, ka pasur reagime të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku përmes një komunikate për media kishin thënë se janë të përkushtuar për të respektuar dhe për të zbatuar vullnetin e qytetarëve.Përkundër që nuk ka pasur takime në mes të dy partive politike, analistët politikë vlerësojnë se ndarja e ministrive nuk është pengesë për arritjen e një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

 Politologu Ramush Tahiri, thotë se nuk beson që koalicioni në mes LVV-së dhe LDK-së do të dështojë sa i përket ndarjeve të ministrive.Ai thotë se kërkesa e LDK-së sa i përket ministrive, postit të kryetarit të Kuvendit dhe presidentit është normale, por që thotë se Kushtetuta dhe ligjet e kanë paraparë që partia e parë fituese e zgjedhjeve e ka kryetarin e Kuvendit.Sa i përket kërkesës së LDK-së që të ketë postin e presidentit, Tahiri thotë se nga aspekti partiak është legjitime, por nga aspekti kushtetues dhe ligjor është e jashtëligjshme.

Kurse, analisti politik Rasim Alija, thotë se përplasja e të dy subjekteve për ndarjen e posteve është normale, pasi sipas tij të dy subjektet e dinë peshën e ministrive të caktuara brenda qeverisë.

Ai thotë se nuk beson se koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së do të dështojë për shkak të ndarjes së ministrive apo çështjes së postit të presidentit.Alija thotë se të dy partitë politike duhet të merren vesh edhe sa i përket postit të presidentit dhe të mos mbetet që të diskutohet, pasi të përfundojë mandati i presidentit aktual.Po ashtu, Alija thotë se të dy partitë politike e dinë se alternativa e vetme e tyre është arritja e koalicionit, pasi sipas tij, nuk kanë ndonjë alternativë të dytë.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë certifikimin e zgjedhjeve të 6 tetor më 27 nëntor, ku Lëvizja Vetëvendosje ka dal partia e parë, e pasuar nga LDK si partia e dytë dhe PDK si partia e tretë.