17:12 / E Shtunë, 29 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​Analisti Tahiri: Kryeministri po sillet si në opozitë

Albin Kurti ende nuk e ka fituar përvojën e pushtetarit, ai po sillet si në opozitë. Ashtu siç kanë vepruar gjatë fushatës zgjedhore, dy partitë që kanë arritur koalicion qeverisës, nuk kanë harmonizim dhe të njëjtat po deklarohen njëanshëm.

Kështu konsideron analisti politik Ramush Tahiri, i cili teksa flet për çështjen e taksës, thotë se dy partitë që janë në pushtet, LVV e LDK, nuk kanë një qëndrim të përbashkët sa i përket heqjes së saj.

Për KP ai thotë se taksa e vendosur gjatë qeverisjes së kaluar, ka prodhuar efekte politike, për çka sipas tij kjo taksë duhet të hiqet dhe fillohet me bashkëpunim ekonomik e tregtar pa kushtëzime.

“Fatkeqësisht partnerët e koalicionit nuk kanë harmonizim. Na ndodhi edhe ajo çfarë na ndodhi gjatë fushatës, edhe gjatë bërjes së koalicionit që të kemi deklarata të njëanshme. Në këtë rast, Albin Kurti si kryeministër me disa biznesmenë të vegjël, të mesëm, që i kishte si dekor, e dha propozimin për heqjen suksesive të taksës dhe për vënien periodike të reciprocitetit. Pa dalur në qeveri dhe pa marrë vendim qeveria. Zakonisht këto paralajmërime nuk bëhen. Kjo tregon se Albin Kurti nuk e ka fituar ende përvojën e pushtetarit, por ende sillet si opozitar, ende më shumë e ka efektin mediatik, se sa praktik”, thotë Tahiri.

Kryeministri Albin Kurti dy ditë më parë në një konferencë për media kishte paraqitur propozimin e tij për heqjen pjesërisht të taksës ndaj mallrave serbe. Ky vendim i të parit të qeverisë nuk është për taksën në tërësi, por vetëm për lëndën e parë. Për këtë kishte reaguar emisari i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka thënë se SHBA nuk e përkrah heqjen e pjesërishme të taksës.

Këtë vendim të Kurtit nuk p o e përkrah as partneri i saj qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas Tahirit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar që nuk e përkrah këtë, për çka thotë se edhe mund të prishet koalicioni.

“Do të ishte mira që LDK, ashtu siç është paralajmëruar, mos të del nga qeveria dhe të mos shkojë vendi edhe një herë në zgjedhje. Sepse shanca e Kosovës, edhe e popullit, edhe qytetarëve, është kjo qeveri e ndryshimit. Sepse është votuar si e tillë, ka fituar përkrahjen ndërkombëtare, po merr masat në ç’kapjen e shtetit, dhe në luftimin e korrupsionit, kundër klientelizimit, punësimeve që janë bërë në këtë bazë. Dhe duhet të vazhdojë, sepse po tregohet mirë e përgjegjshme si partnere me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra të gjendet një kompromis dhe të merret një vendim i përbashkët në qeverinë për taksà «n”, shton Tahiri.

Vendimi për heqjen e taksës, kishte mbledhur dje partnerët e koalicionit. Albin Kurti e Isa Mustafa kishin mbajtur takim në objektin e qeverisë, për të diskutuar në lidhje me këtë çështje. Ramush Tahiri thotë se edhe pas takimit të djeshëm, nuk arritën marrëveshje për heqjen e taksës.

E, sot në Prevallë kabineti qeveritar është duke mbajtur mbledhje gjithëditore për të finalizuar programin qeverisës. Nga aty zëvendëskryeministri i dytë Haki Abazi, ka mohuar që është duke u diskutuar edhe heqja e tarifës.

“Absolutisht nuk ka asgjë tjetër që është duke u diskutuar, përveç se kthimi i marrëveshjes së koalicionit në plan qeverisës dhe zbërthimi i saj në plan veprues, detyra e prioritete”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti nga Prevalla është shprehur se është në plan qeverisës heqja e taksës, por duhet të veprohet në pajtim me partnerët ndërkombëtarë. Ai ka pohuar që me LVV-në kanë dallime rreth kësaj çështje, por se janë duke punuar që t’i përafrojnë qëndrimet, duke theksuar se do të takohen përsëri.