14:08 / E Mërkurë, 12 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​Anëtarësimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit, në INTOSAI sjell përfitime të mëdha

Pranimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit po konsiderohet si kapitull i ri për vendin. Për këtë po thuhet se do të ketë përfitime të mëdha, ku duke shkëmbyer përvojat dhe praktikat globale do të ketë zhvillim në auditimin e sektorit publik.

Kështu u tha sot konferencën ndërkombëtare “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet për Institucionet Supreme të Auditimit”.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani deklaroi se ky është një kapitull i ri për Zyrën e Auditimit, duke bërë një hap në përfitimin e vlerave evropiane.

Ai tha se anëtarësimi i ZKA-së me të drejta të plota në INTOSAI nga 1 janari i këtij viti, është një moment i rëndësishëm për secilin institucion të auditimit.

“Të qenit anëtar, mes tjerash, nënkupton të jesh në gjendje të përfitosh nga vlerat, dhe duke shkëmbyer përvojat dhe praktikat globale në zhvillimin e auditimit të sektorit publik. Në fokus të agjendës së sotme kemi vendosur synimin ku mund të prezantojmë përvojat tona dhe mundësinë e auditimit… Është shumë e rëndësishme që përpjekjet tona të vazhdueshme për të përmirësuar sistemin e auditimit të jashtëm publik janë vlerësuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Është shumë e rëndësishme për që sot së bashku me kolegët e zyrës së auditimit të sjellim përvojat që janë shumë të rëndësishme për ne”, tha ai.

Për rëndësinë e anëtarësimit të ZKA-së në INTOSAI ka folur edhe Ahmet Ismajli në emër të ministrit të Financave Besnik Bislimit. Sipas tij, ky institucion cilësohet më kredibil në vend.

“Zyra Kombëtare e Auditimit është një prej institucioneve më kredibile të vendit, e vlerësuar në shumë dimensione, veçanërisht ato ndërkombëtare. Hapi i fundit i anëtarësimit e konfirmon këtë gjë. Jam i bindur që përveç përpjekjeve dhe përfitimeve tjera në ngritjen e kapaciteteve, institucioni më i lartë i auditimit në Republikën e Kosovës do të ketë çfarë të ofrojë edhe për shtetet partnere të saj në aspektin e praktikave më të mira profesionale të ndërtuara ndër vite në bashkëpunim me shumë të cilat kanë dhënë kontribut për Zyrën Kombëtare të Auditimit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka qenë gjithmonë burim i rëndësishëm i informatave financiare për sektorin publik, raportet e saj paraqesin një përpjekje shumë serioze të auditorit të përgjithshëm për të ndihmuar institucionet qendrore, komunale si dhe ndërmarrjet publike në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjes së llogaridhënies. Megjithatë është evidente se disa nga këto nuk janë arritur ashtu siç kërkohet”, tha ai.

Krahas kësaj, Ismaili shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur Zyrën Kombëtare të Auditimit në përmbushjen e misionit të saj.

Harbib Saeed Al-Amimi, president i Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, e uroi ZKA-në për anëtarësimin në INTOSAI.

“Qëllimet kryesore strategjike të INTOSAI-t janë standardet profesionale, shkëmbimi i njohurive dhe maksimizimi e INTOSAI si një organizatë ndërkombëtare. Brenda këtij qëllimi strategjik INTOSAI ka për qëllim të promovojë qeverisjen e mirë duke përmirësuar perfomancën, rritjen e transparencën, siguroj llogaridhënie, të ruajë kredibilitetin dhe të luftojë korrupsionin, të promovojë besimin publik, duke ofruar vlerë e dobi për qytetarët e tyre”, tha Al-Amimi.

Edhe auditori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gene L Dodaro nga Zyra Qeveritare e Auditimit të SHBA-ve, përmes një video-mesazhi e uroi ZKA-në dhe Kosovën për anëtarësimin në INTOSAI.

Në këtë konferencë është diskutuar edhe për menaxhimin e parasë publike dhe ndikimin e auditimit të jashtëm