17:51 / E Mërkurë, 28 Mars 2018 / indeksADMonline

​Askujt s’i konvenojnë zgjedhjet në këtë kohë

Partitë politike në pozitë e opozitë nuk i shohin zgjedhjet si opsion në këtë kohë, pavarësisht daljes nga koalicioni qeverisës të Listës Serbe dhe humbjes së shumicës së pushtetit.

Derisa, analistët pohojnë se këtë vit do të ketë gjithsesi zgjedhje të reja, por se kjo do të vendoset në fillimin e  majit, nëse zgjedhjet do të mbahen në fund të qershorit, por në vjeshtë.

Megjithatë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, nuk sheh  arsye për zgjedhje të reja.

Madje, ajo thotë se nuk ka lëkundje të koalicionit, pavarësisht një qëndrimi të Listës Serbe që të tërhiqet nga koalicioni qeverisës. Deliu beson shumë që javët në vazhdim do të ketë zgjidhje të këtij ngërçi.

Edhe opozita duke se nuk është e interesuar të ketë zgjedhje të shpejta, ani pse kjo Qeveri sipas tyre po e humb legjitimitetin.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ani pse i shmanget përgjigjet nëse janë të gatshëm për zgjedhje apo jo, thotë se kjo Qeveri është e brishtë.

Por, ndryshe mendon analisti politik, Ramush Tahiri,  i cili thotë se zgjedhje të reja do të ketë, por jo para fundit të qershorit ose vjeshtës. Ani pse sipas tij është pak teori spekuluese, por mos dëshira për zgjedhje shpejt, vjen  edhe si pasojë e mos konsolidimit të brendshëm të vet partive politike, si në pushtet, si në opozitë.

Tahiri shton se Qeveria sipas Kushtetutës bie, nëse dorëheqje jep kryeministri dhe nëse Qeveria rrëzohet me 61 vota, gjë që asnjëra nga partitë aktualisht nuk dëshiron ta rrëzojë Qeverinë në këtë moment.

Sipas Tahirit, më herët edhe vet presidenti Vuçiq, kishte thënë që nuk duan zgjedhje të reja kur është bërë koalicioni qeverisës me Ramush Haradinajn.