20:56 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / MSH

​Borrell në Samitin e Pragës: Po diskutojmë si të ndërtohet një strukturë e re e sigurisë në Evropë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se në Samitin e Pragës do të diskutojnë se si të ndërtohet një strukturë e re e sigurisë në Evropë.

Ai theksoi se Komuniteti Politik Evropian është mënyra më e mirë për të përballuar krizat e krijuara nga lufta në Ukrainë. Sipas tij duhet të ndërtohet një rend i ri sigurie për të përballuar edhe krizën energjetike.

“Që kur Rusia filloi agresionin e saj brutal kundër Ukrainës, Evropa hyri në një fazë të re të historisë. Dhe sot, 44 liderë evropianë, mblidhen këtu së bashku, për të diskutuar se si të ndërtohet një strukturë e re e sigurisë në Evropë. Duhet të bëhet pa Rusinë, jo sepse ne nuk duam që Rusia të jetë pjesë e Evropës, por sepse Putini i Rusisë e ka nxjerrë atë nga Komuniteti Evropian. Komuniteti Evropian është i formuar nga këto 44 shtete, disa prej tyre janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe disa të tjerë nuk janë. Disa nuk duan, disa të tjerë kanë qenë anëtarë dhe janë larguar, një pjesë tjetër ende nuk janë anëtarë, por do të bëhen anëtarë, dhe së bashku duhet të përcaktojnë linjat e reja për evropianët. Evropa duhet të përballet me krizën e krijuar nga lufta në Ukrainë, duhet të ndërtojë një rend të ri sigurie për të përballuar krizën energjetike, dhe ky forum, ky komunitet, ky komunitet politik është mënyra më e mirë për evropianët, të gjithë evropianët brenda dhe jashtë bashkimit, për ta përballuar këtë”, tha ai.

Samiti joformal i Komunitetit Politik Evropian ka filluar punimet të enjten, ku do të kenë fjalën liderët e 44 shteteve evropiane, përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ky samit është iniciativë e presidentit francez, Emanuel Macron, ku përveç 27 shteteve të Bashkimit Evropian, po marrin pjesë edhe 17 vende të tjera të Evropës.