13:24 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

​Borrelli pa një datë për heqjen e vizave, kërkon formimin e shpejtë të Qeverisë

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, në vizitën e tij të parë në Kosovë pas marrjes së këtij posti, ka deklaruar se BE-ja nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës.

Në një konferencë shtypi pas takimit me kreun e shtetit tonë Hashim Thaçi, kryediplomati spanjoll tha se nuk duhet lejuar një Ballkan të ndarë jashtë familjes evropiane.

“Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor dhe dëshirojmë të sigurojnë stabilitet dhe siguri për secili, pasi këto janë prioritete dhe në interesin tonë. Nuk do t’ia lejojmë vetes që të kemi Ballkanin të ndarë dhe nuk kemi mundësi që vendet të jenë të ndara nga njëra-tjetra dhe të ndalohen vuajtjet që kanë ndodhur nëpër botë”, u shpreh Borrelli.

Kryediplomati evropian, i cili në këtë detyrë vjen në vend të Federica Mogherinit, pati edhe një porosi sa i përket formimit të Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. 

“Kosovarët janë të lirë të vendosin për fatin e vet dhe është çështje të vendosin për qeveri e jo të bisedojnë me ne për qeveri, është çështje e tyre. Dëshirojmë të shohim se po krijoni një qeveri sa më parë dhe jam i lumtur që presidenti më tregoi se kjo do bëhet dhe do të ndihmojë sa më shpejt të fillojnë negociatat”, tha Borrelli.

Ndërkohë që Kosova vazhdon të mbetet pa viza drejt vendeve evropiane, Josep Borrell përkujtoi se vendi ynë ka përmbushur të gjitha kushtet për heqjen e regjimit të vizave, porse ai nuk mund të premtojë  se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

“Komisioni Evropian konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha konditat për liberalizim të vizave dhe është koha e duhur të përfundohet me kërkesa teknike”, u shpreh Borrell.Kryediplomati evropian ndodhet për vizitë në Kosovë, pak kohë, pasi vendin tonë e vizitoi edhe emisari amerikan për dialogun me Serbinë Richard Grenell.Josep Borrell nesër do të qëndrojë për vizitë edhe në Serbi.