22:49 / E Diele, 04 Tetor 2020 / indeksADMonline

​Debuton Audi A3 hibrid plug-in me 204 kuaj fuqi

Audi ka zgjeruar gamën e saj A3 Sportback me një version të ri elektrik.

Audi A3 me shenjën 40 TFSI e PHEV është mundësuar nga një motor turbo-benzinë me 4 cilindra 1.4 litra që ofron 150 kuaj fuqi.

Njësia e benzinës çiftëzohet me një motor elektrik prej 109 kuaj fuqi (80 kW), dhe fuqia totale e kombinuar e sistemit hibrid është 204 kuaj fuqi (150 kW), ndërsa çift rrotullimi maksimal është 350 Nm.

Motori është bashkuar me një transmetim automatik S tronic me 6 shpejtësi, dhe fuqia transmetohet në boshtin e përparmë.

Për shkak të baterisë, vëllimi i bagazhit është zvogëluar me 100 litra, kështu që pronari ka një bagazh prej 280 litrash në dispozicion.

Kur bëhet fjalë për performancën, A3 hibrid plug-in përshpejton nga vendi i ndalimit në 100 km/orë për 7.6 sekonda dhe shpejtësia maksimale është 227 km/orë.

Ajo që është shumë e rëndësishme për modelet PHEV është autonomia e tyre në drejtimin elektrik. Nëse drejtohet vetëm nga një motor elektrik, A3 është në gjendje të përshkojë deri në 66 km, sipas Audi.

Mbushja e baterisë në prizën e shtëpisë zgjat pak më shumë se 4 orë. Audi A3 40 TFSI e PHEV arrin në dyqanet e shitjes deri në fund të vitit.