16:08 / E Martë, 23 Gusht 2022 / AR

​Evropa po përballet me thatësirën më të keqe në 500 vitet e fundit

Thatësira në Evropë duket të jetë më e keqja në të paktën 500 vjet, sipas Komisionit Evropian.

Zëdhënësi i komisionit Johannes Bahrke, duke iu referuar studimit të publikuar tha se ky është vetëm vlerësimi i parë dhe se duhet të konfirmohet me atë të të dhënave përfundimtare në fund të sezonit, përcjell atsh.

Pothuajse gjysma e Evropës kërcënohet nga thatësira, sipas një raporti nga Shërbimi i Shkencës dhe Njohurisë i Komisionit (JRC).

Raporti thekson se deri më 10 gusht, 47% e territorit evropian kishte arritur një nivel gatishmërie për thatësirën, ndërsa 17% e rajoneve të anketuara janë në gatishmëri të plotë.

Reshjet e pakta të shiut dhe një sërë valësh të nxehti nga maji e tutje ndikuan në rrjedhjet e lumenjve dhe nivelet e ujit gjerësisht në të gjithë Evropën.

Reduktimi i vëllimit të ujit ndikoi negativisht edhe në sektorin e energjisë si për prodhimin e hidrocentraleve ashtu edhe për sistemet e ftohjes së termocentraleve të tjerë.