15:53 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

​Gucati iu përgjigjet bashkëluftëtarëve: Keni protestuar për shkaqe personale

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se protesta e sotme e një grupi të ish-luftëtarëve të UÇK-së është bërë për qëllime personale, pasi që sipas tij një pjese të tyre nuk iu është njohur statusi i invalidëve të luftës.

Gucati ka komentuar për KosovaPress protestën e sotme me ç’rast ka theksuar se edhe vetë e kanë mbështetur verifikimin e listave të veteranëve, porse nuk mund të mbështesin protestën e sotme pasi që tashmë veçse kanë marrë masa për një gjë të tillë, ku para 8 muajsh kishin dërguar në Prokurori listat e veteranëve.

“Ne para 8 muajsh kemi dërguar në Prokurori listat e veteranëve. Ata që kanë protestuar sot kanë dalë sepse nuk iu është njohur statusi i invalidit të luftës. Ata kanë dashur ta ngrisin këtë çështje dhe rastet e tyre personale të bëhen të ditura për media”, tha ai përmes telefonit.

Ndërkaq sot, një grup i ish-ushtarëve të pakënaqur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me ç’rast kanë shpalosur kërkesat e tyre, duke përfshirë edhe pastrimin e listave të veteranëve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i takoi ata, u shpreh i gatshëm që të zgjidhë këtë çështje, duke u premtuar veteranëve të luftës së fundit të UÇK-së, se do shqyrtojë me kujdes shqetësimet e shprehura nga ta.

Temat: