20:48 / E Hënë, 24 Gusht 2020 / indeksADMonline

​Haradinaj: Njohja reciproke duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka deklaruar se kryeministri Avdullah Hoti duhet t’ia paraqesë Uashingtonit dhe Brukselit zyrtar qëndrimin e palës kosovare që në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë të përfshihet edhe njohja reciproke.

Ai në emisionin DebatPlus në TV Dukagjini ka thënë se është momenti i duhur që kryeministri Hoti në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë të kërkojë marrëveshjen për njohje.

“Kërkesa ime është që kryeministri Hoti t’i adresojë Uashingtonit dhe Brukselit kërkesën për njohje nga Serbia, ku në këtë marrëveshje do të përfshiheshin marrëveshjet e deritanishme të Brukselit, por edhe temat që do të zgjidheshin pas njohjes”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se nuk beson se në Shtëpinë e Bardhë do të bisedohen vetëm për temat ekonomike, pasi sipas tij, aty do të diskutohet edhe rreth marrëveshjes për njohje reciproke Kosovë-Serbi.