18:00 / E Enjte, 01 Dhjetor 2022 / MSH

​Haxhiu: Dhuna ndaj grave një realitet i hidhur prezent edhe në komunitetet jo shumicë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu mori pjesë në tryezën e organizuar në Prizren, me përfaqësues të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Ajo me këtë rast theksoi se që nga marrja e mandatit është zotuar dhe ka shprehur gatishmërinë për trajtimin e rasteve të dhunës, por që të njëjtin ritëm nuk e kanë ndjekur edhe institucionet tjera të drejtësisë.

“Unë kam qenë dhe jam pranë shqetësimeve të qytetarëve; kemi bashkëpunuar me shoqëritë civile, partnerët strategjikë, organizata vendore e ndërkombëtare, që të hartojmë nismat më të mira ligjore, sa u përket trajtimit të viktimave, por edhe sa u përket trajtimit dhe ndëshkimit ndaj dhunuesve”, tha ministrja Haxhiu.

Haxhiu tha se një gjendje e rënduar ekziston te komunitetet jo shumicë, që Qeveria synon barazi të plotë, si gjinore, si atë ndërmjet komuniteteve, e po ashtu edhe për përafrim sa më të barabartë ekonomik.

Para të pranishmëve, ministrja Haxhiu kërkoi përfshirje aktive të komunitetit joshumicë në proceset e ndryshme që ka vendi.

“Jemi bashkërisht qytetarë të kësaj Republike, të cilën e duam dhe për të cilën duam të punojmë më shumë. Është atdheu ynë ku jemi lindur dhe ku synojmë t’i rrisim fëmijët tanë. Është vendi ku duam t’i realizojmë ëndrrat për fëmijët tanë, në një ambient prosperues, që mundëson dhe garanton një jetë me dinjitet. Jam e bindur që të bashkuar do të kalojmë çdo vështirësi”, tha ministrja Haxhiu.