18:56 / E Premte, 11 Shkurt 2022 / MSH

​Haxhiu për vettingun: Është vaksinë goxha e mirë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se partitë opozitare kanë refuzuar të takohen për të diskutuar për çështjen e vettingut. Ajo është zotuar se janë në komunikim me Komisionin e Venecias për të ndjekur rekomandimet për këtë proces.

Haxhiu e ka quajtur vettingun “vaksinë” për sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë.

“Jo për vaksina po për vetting, ndonëse është një vaksinë goxha e mirë. Vaksinë për sistemin e drejtësisë sigurisht dhe për shoqërinë”, ka deklaruar ajo.

Ministrja Haxhiu deklaroi se kanë nisur punën për vettingun në drejtësi. Sipas saj, kjo është reformë e thellë dhe e domosdoshme për vendin.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias dhe do t’i ndjekim rekomandimet në raport me këtë proces shumë të rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, që qëllimi final është që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Tri herë radhazi kam ftuar partitë politike në takim për t’i njoftuar në detaje për çështjen e vettingut dhe përgjigja ka qenë refuzuese, deri tani përveç grupit parlamentar “Lëvizja Vetëvendosje” dhe grupit parlamentar që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kosovë, partitë tjera nuk kanë shprehur interes për të na takuar”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka kundërshtuar deputetin e AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se ka përplasje mes Qeverisë dhe Bashkimit Evropian në këtë drejtim. Më tej ka nënvizuar edhe disa nga konstatimet e raportit për vendin.