07:41 / E Martë, 05 Korrik 2022 / AR

​Kërcënohet me bombë, avioni luftarak spanjoll shoqëron aeroplanin e pasagjerëve

Një avion luftarak i Forcave Ajrore Spanjolle ka shoqëruar sot një aeroplan të udhëtarëve, i cili u ngrit nga Gatwick i Londrës, pasi një 18-vjeçar britanik bëri kërcënime me bombë në rrjetet sociale.

Sipas një zëdhënësi të Gardës Civile spanjolle, britaniku, i cili udhëtoi në ishullin Menorca me pesë miq, e kaloi natën në burg dhe është në pritje të një seance dëgjimore.

Avioni Easyjet u ul i sigurt në aeroportin Menorca në Ishujt Balearik me gjysmë ore vonesë dhe pas uljes u shoqërua në zonën e sigurisë ku u arrestua i riu britanik.

Pasagjerët, bagazhet dhe avioni u ekzaminuan nga ekspertët për eksplozivë me qenë të trajnuar posaçërisht dhe u kryen të gjitha kontrollet e nevojshme të sigurisë, njoftoi Garda Civile.

Zakonisht avionët ushtarakë shoqërojnë aeroplanët civilë kur kontrolli i trafikut ajror tokësor humbet kontaktin me ta ose ekziston një kërcënim për avionin ose pasagjerët për shkak të një alarmi për bombë, objekt të dyshimtë ose aktivitet terrorist.