18:06 / E Diele, 12 Gusht 2018 / indeksADMonline

​Kërkohet fuqizimi i ligjit për punë vullnetare

MKRS do të ndryshojë pjesën e kornizës ligjore për vitin 2019, në mënyrë që të gjitha programet e saj të përfshijë strategjinë, por edhe programet e realizuara nga Departamenti i Rinisë për mbështetje të projekteve të ndryshme rinore në të gjitha fushat.

Kjo është bërë e ditur nga vetë ministri Kujtim Gashi në një konferencë me temën “Rinia në ndërtimin e paqes dhe sigurisë” në Bibliotekën Kombëtare, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, me ç’rast bëri të ditur se tashmë kanë filluar procedurat për ndryshimin e ligjit për rininë.

Ai tha se po bëhen ndryshime në kornizën ligjore dhe ligjin për rininë për t’i mundësuar asaj pjesëmarrje më e madhe në vendimmarrje të shtetit.

Ministri Gashi shfaqi shqetësimin edhe rreth shkuarjes së të rinjve në luftëra të huaja,  për çka tha se duhet krijuar mekanizma parandalues me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit të rinisë sonë.

Presidentja e Kongresit Rinor Kombëtar të Shqipërisë, Lorela Marku, tha se të rinjtë në Shqipëri dhe ata në Kosovë kanë probleme të ndryshme, dhe se fakti që jemi një komb ka bërë që të harrojmë se jemi shtete të ndryshme.  Ajo ka kërkuar më shumë bashkëpunim mes dyja vendeve për ta fuqizuar rolin e rinisë.

Besmir Kokollari, drejtor i institutit “iCHAT”,  kërkoi nga ministri Gashi ta fuqizojë rolin e rinisë dhe ta zgjerojë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje. Sipas tij, Kosova ka shumë nevojë për Ligjin për Punë Vullnetare i cili do t’u mundësonte të rinjve kosovarë marrjen e përvojave jashtë vendit dhe sjelljen e tyre në Kosovë.

Ministri Gashi bëri të ditur se Ligji për Punë Vullnetare është duke u trajtuar nga Zyra e Kryeministrit. Ai shtoi se kanë dilema nëse ky ligj do t’i përfshijë vetëm të rinjtë apo të gjitha moshat.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Rinisë shënohet çdo vit më 12 gusht dhe synon promovimin e aktivitete për të rinjtë, ndërsa u aprovua me një rezolutë të posaçme nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1999.

Qëllimi i kësaj dite është të pranojë dhe njohë përpjekjet dhe përkushtimin e të rinjve në mbarë botë për përmirësimin e shoqërisë. Me rastin e Ditës ndërkombëtare të Rinisë, komuna të ndryshme në Kosovë kanë planifikuar aktivitete.