11:33 / E Shtunë, 20 Maj 2023 / A. M.

​Konjufca: Diaspora, themeli i gjithë asaj çfarë kemi arritur si popull

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, deklaroi sot (e shtunë) se mërgata mbetet themeli i çdo të arriture të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa kërkoi nga të dy republikat shqiptare që të krijojnë mekanizmat për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit të kulturës dhe gjuhës shqiptare si dhe ta bëjnë diasporën komponent vendimtar të zhvillimit ekonomik.

Ai ka folur në sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës para një numri të shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në vende të tjera në kuadër të konferencës “Diaspora flet”, Konjufca bëri thirrje shtetit të Shqipërisë dhe të Kosovës që të bëjnë më shumë për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve në diasporë.

Kujtojmë se një ditë më parë, në kuadër të së njëjtës konferencë, “Diaspora flet”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mërgatën shqiptare e ka konsideruar si një pasuri të çmuar për Kosovën, derisa shtoi se me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme po i jepet fund padrejtësisë ndaj diasporës.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të zbatojë politika që e ndërlidhin diasporën me vendin.