12:57 / E Hënë, 01 Qershor 2020 / indeksADMonline

​Kosova hap kufijtë tokësor, kolona të gjata në Vërmicë

Kosova nga sot ka rihapurë kufijtë tokësor. Vendimi për rihapjen e kufijve tokësor është marrë mbrëmë nga qeveria në detyrë e Kosovës. Pikat kufitare që hapen sot janë pikat kufitare në Merdare, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Dheu i Bardhë dhe Jarinjë.

Ekipi ynë gjatë ditës së sotme ka qëndruar në pikën kufitare në Vërmicë. Në këtë pikë kufitare në anën e hyrjes për në Kosovë nga Shqipëria, ishin kolona të gjatë të automjeteve që prisnin për t’iu nënshtruar kontrolleve dhe procedurave që i ka paraparë Qeveria e Kosovës.

Elbunit Kryeziu, mjekë në pikën kufitarë në Vërmicë ka njoftuar se nga ora 07:00 e mëngjesit deri rreth orës 11:00 janë kontrolluar rreth 300 persona.

Ai tha se personave që po hyjnë në Kosovë po u masin temperaturën dhe po iu marrin të dhënat personale.

“Prej orës 7 mëngjes i kemi kryer mbi 300 ekzaminime… mirë temperaturë nuk kanë, bëhet matja e temperaturës i merren të dhënat personale numri i telefonit dhe munden me kaluar”, u shpreh Kryeziu.

Të frustruar me pritjet e gjatë në hyrje të Kosovës, në pikën kufitare në Vërmicë u shprehën shumë qytetarë të Shqipërisë që kishin vendosur që të vinë në Kosovë pas vendimit për hapjen e kufirit.

Indrit Shkreli nga qyteti i Shkodrës, thotë se ka më shumë se 1 orë e gjysmë që është duke pritur në pikën kufitare për të hyrë në Kosovë.

Ndonëse i ka marrë të gjitha masat mbrojtëse, ai thotë se në Kosovë po vjen për biznes.

“Një orë e gjysmë rradhë e madhe shumë sot kanë lëshuar të gjithë njerëzit me dal jashtë shtetit por duhet pritur një orë e gjysmë pritje e madhe…. Hala nuk kemi filluar procedurat por shikojeni edhe vetë se sa është bërë linja. Procedura po fillon tani….për punë për biznes…patjetër i kemi të gjitha maskat dorezat”, tha ai.

Edhe Rajmond Doxhani sot ka marrë rrugë për në Kosovë. Ai thotë se po vjen nga Kukësi në Kosovë për t’u furnizuar më ushqime pasi tregu në Kosovë sipas tij tregu në Kosovë është më i lirë.

Doxhani shprehu pakënaqësinë e tij për pritje të madhe në hyrje të Kosovës.

“U bë gati dy muaj që nuk dalim këndej, janë shumë arsye që dalim këndej pikë së pari e kemi arsyen e naftës që e kemi shumë më lirë dhe ushqimet tregu është më i lirë këndej dhe po dalim me marrë ca gjëra ca ushqime këndej vegla për makinën dhe për shtëpi dhe do kthehemi në Kukës….shumë e gjatë 1 orë e 20 minuta kam pritur… na kërkuan patent, leje qarkullimi na morën emër , mbiemër, numrin e telefonit, adresën se ku do shkoni kaq…na morën në pyetje na matën temperaturën dhe kartën e identitetit”, tha ai.

Vetëm për vizitë është nisur drejt Kosovës edhe Milaim Muja, i cili tha se posa kaloi kufirin iu nënshtrua edhe procedurave mjekësore.

“Vetëm për qef një vizitë… një gjysmë ore pritëm në anën e andej normal kontrolluam temperaturën e këto”, tha Muja.

Përveç atyre që po vinin në Kosovë kishte edhe qytetarë të Kosovës që ia kishin mësyrë Shqipërisë, dikush për vizitë e dikush për punë.

Shemsedin Spahija një bashkatdhetar nga Belgjika, thotë se në Kosovë ka mbetur më shumë se tre muaj dhe sot po shkon në Shqipëri për vizitë.

Sipas tij, mbyllja e kufirit me Shqipëri nuk ka qenë e nevojshme, por shpreson që Qeveria e Kosovës së shpejti do i hap edhe kufijtë ajror.

“Po shkoj se kam gjirin familjar që kanë ardhur prej Belgjikës e jemi bllokua këtu që 3 muaj e gjysmë e i kam fëmijët në Shkodër e do shkoj t’i vizitoj… duhet me u hap kufijtë nuk ka vyjtë me u mbyllur hiq me Shqipërinë”, deklaroi Spahija.

Për në Shqipërisë sot në ditën kur u hap kufiri më Shqipërinë pas gati tre muajsh ishte nisur edhe Xhevdet Duka.

Derisa e quan të mirë vendimin për hapjen e kufijve tokësor, Duka thotë se nuk ka qenë e nevojshme mbyllja e kufirit me Shqipërinë.

“Shumë i mirë bile i vonuar… kujdes me pas por edhe me na e ndal kufirin nuk është mirë… na kanë kontrolluar, çdo gjë është në rregull… vetëm matjen e temperaturës”, deklaron ky qytetar.

Sezoni veror ka arritur dhe për të parë përgatitjet në Shqipëri sot është nisur edhe Xhevahire Karavida nga Agjencini Turistik “Diamond Travel”.

“Vendim shumë pozitiv dhe gëzim shumë i madh… faktikisht po shkojmë për punë derisa ne jemi në sektorin e turizmit e kemi pritur me kënaqësi të madhe hapjen e kufirit po shkojmë me i pa disa punë rreth hoteleve se si është gjendja atyre për t’u ofruar edhe klientëve tanë”, tha ajo.

Kujtojmë që vendimi për mbylljen e pikave kufitare ishte marrë nga autoritetet e Kosovës më 13 mars të këtij viti në kuadër të masave parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit.

Vetëm mbrëmë në Kosovë kanë dal pozitiv me COVID19, 13 persona, kurse, të shëruar janë raportuar 2 persona./