16:27 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / MSH

​Kosova ka blerë rrymë nga kompania GEN, Tahiri: Kjo kompani ndërlidhet me diplomatin Berishaj

Kryesuesi i bordit të drejtorëve të KOSTT-it, Jeton Mehmeti ka pranuar se Kosova ka tregtuar energji elektrike me kompaninë GEN. Mirëpo, nuk ka dhënë detaje tjera se prej cilit shtet.

Gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, Mehmeti ka përmendur emrat e kompanive që Kosova ka tregtuar energji elektrike në periudhën e fundit.

Megjithatë, edhe pas insistimit të deputetit, Ferat Shala për shtetet që tregton Kosova rrymë, Mehmeti nuk pranoi të përmend emrat e shteteve.

“A keni të dhëna për tregtarët që kanë operuar gjatë periudhës së komisionit hetimor, në këtë pjesën që jemi edhe të thirrur të bashkëpunojmë sot. Nëse eventualisht mund të na i thoni emrat e tregtarëve që kanë operuar në këtë fazë”, pyeti Shala.

Mehmeti përmendi emrat e tregtarëve, të cilat sipas tij janë: Kompania GEN, Tirana SHPK dhe KESh.

Kryesuesi i bordit të drejtorëve të KOSTT-it, Jeton Mehmeti ka konfirmuar se Kosova ka tregtuar energji elektrike me kompaninë GEN.

Mehmeti tha se emrat e tregtarëve janë: GEN, Tirana SHPK dhe KESh.

“Tani ne flasim për tregtarët që KOSTT ka blerë energji elektrike, por jo për gjithë sistemin se nga blejnë palët e tjera. Këta tregtarë kanë licenca rregullative të zonave të tjera. Këta janë: GEN-i, Tirana SHPK, GEN-i në Shkup, KESH SHA. Shqipëri, GEN Tregovanje nuk e di vendin prej nga është”, theksoi Mehmeti.

Duke u bazuar në deklaratën e Mehmetit, deputeti Abelard Tahiri tha se përfaqësuesit e KOSTT-it, sot në këtë mbledhje konfirmuan që Kosova ka importuar energji elektrike nga kompania e përfolur me ambasadorin Martin Berishaj.

“Një pjesë e debatit parlamentar kur kemi diskutuar për çështjen e komisionit hetimor ka zënë vend të madh në këtë debat ambasadori Martin Berishaj dhe afera e tij me kompaninë GEN për të cilën edhe përfaqësuesi i KOSTT-it na konfirmojë që ka importuar energji elektrike Kosova nga kompania për të cilën ambasadori është përfolur për tërheqjen rreth 600 mijë euro. Nga një kompani me një punëtor. Prandaj është më rëndësi që të dihen lidhjet e Berishajt me kompaninë në fjalë. Po flasim për miliona euro nga kompania GEN për të cilën është përfolur një aferë me të”, theksoi Tahiri.

Deputetja nga Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila i reagoi kolegut të tij opozitar Tahiri, se GEN-i nuk është kompani e diplomatit Berishaj dhe për më tepër sipas saj ky komision nuk ka në fokus hetimin e ambasadorit ose kompaninë GEN.

“Në rrethanat në të cilat u përmend emri i tij (ambasadorit Berishaj) nuk lidhet as kriza energjetike që e ka fokus hetimi ky komision dhe as ndonjë veprim i tij apo i GEN-it. GEN-i nuk është kompani e Berishajt, ka qenë njëri nga përfaqësuesit, ndërsa GEN-i ka zyrë në Shkup, në Tiranë, natyrisht është kompani me bazë në Slloveni”, theksoi Kusari Lila.

Në këtë komision po ashtu është diskutuar edhe për ftesën e ambasadorit Berisha për intervistim, megjithatë nuk u caktua ndonjë datë.

Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj ka thënë se do të ishte mirë që pas datës 20 tetor të intervistohet edhe diplomati Berishaj.

“A mund ta përcaktojmë tani se kur do ta ftojmë ambasadorin Martin Berishaj, për shkak se ai është diplomat dhe ka punë, i cili duhet të vjen në intervistë nga një shtet tjetër. A mund ta përcaktojmë sot datën në mënyrë që ta shohim edhe agjendën e tij se kur mund të vijë në Kosovë për shkak të pozitës që ka”, theksoi ai.

Në komision u vendos që në mbledhjen e radhës të intervistohet u.d kryeshefi ekzekutiv i KOSTT.