12:38 / E Hënë, 19 Tetor 2020 / indeksADMonline

​Kosova shënon ulje të rasteve të trafikimit me njerëz, BE-ja kërkon zbatim konkret ligjesh

Në Ditën Evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, institucione shtetërore kanë promovuar fushatën njëmujore kundër kësaj dukurie negative. Kosova u tha se ka bërë progres gjatë dy vjetëve të fundit për të ulur rastet e trafikimit me njerëz, por u kërkua angazhim shtesë për të parandaluar shfrytëzimin e vendit si rrugë transit të trafikantëve. Ndërsa, përmirësim të zbatimit të legjislacionit për viktimat e krimit u kërkua nga BE-ja.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se Kosova si shtet i ri ka avancuar në infrastrukturën ligjore për të parandaluar trafikimin me njerëz.

“Si shtet i ri, Kosova ka arritur të krijojë infrastrukturë ligjore që ndihmon në luftimin e trafikimit dhe po ashtu rehabilitimin e viktimave. Duhet të punojmë çdo ditë për të siguruar mirëqenie për qytetarët tanë në mënyrë që mos të ketë hapësirë dhe mundësi për zhvillimin e kësaj dukurie negative dhe shumë të rrezikshme për shoqërinë. Duhet të punojmë me gjithë fqinjët dhe vet BE-në që të parandalojmë shfrytëzimin e Kosovës si rrugë transit të trafikantëve”, tha Thaçi.

E kryeministri, Avdullah Hoti, tha se parandalimi dhe luftimi i trafikimit me njerëz është prioritet i Qeverisë që drejton.

“Pa dyshim se trafikimi me njerëz është shkelje fondamentale e drejtave të njeriut, prandaj parandalimi dhe luftimi i trafikimit me njerëz është prioritet i qeverisë. Kjo çështje është në thelb të ekzistimit të qenieve njerëzore, lëkund themelet edhe shoqërive demokratike dhe të BE-së. Në fakt vazhdon të jetë njëra prej problemeve që po përballemi të gjithë së bashku në rajon, BE dhe më tej. Prandaj janë të mirëseardhura mundësitë si kjo dhe mbështetja që kemi në këtë drejtim nga partnerët tanë ndërkombëtar për luftimin e emigracionit ilegal”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tha se viteve të fundit ka ulje të rasteve të trafikimit me njerëz, në Kosovë.

“Referuar statistikave të fundit në Kosovë ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz. Kjo ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve të Kosovës. Gjithsesi rekomandimet e dala nga mekanizmat ndërkombëtar për ne do të jenë plane pune për të reaguar më ashpër ndaj kësaj dukurie. Në veçanti ndëshkime meritore ndaj kryesve dhe shërbime afatgjatë të ri integrimit të viktimave të trafikimit…Policia e Kosovës përkundër angazhimit të saj në situatën me pandeminë ka arritur që të bëjë identifikimin e 11 viktimave të trafikimit me njerëz, arrestimin e 59 personave të dyshuar për vepra penale të trafikimit dhe ka paraqitur 18 kallëzime penale në prokuroritë përkatëse për veprat e trafikimit me njerëz ose atyre që lidhen me trafikimin”, tha ai.

Angazhim më të madh për të luftuar këtë dukuri negative globale kërkoi edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Por e pati një kërkesë që legjislacioni në fuqi të gjejë zbatim praktik në vend.

“Për fat të keq sistemi aktual në Kosovë nuk siguron asistencë financiare të vazhdueshme për OJQ-të që kanë nevojë për t’u ndihmuar viktimave. Duhet të sigurojmë të gjitha politikat, asistencat, shërbimet, t’i kemi në dispozicion për të luftuar këtë dhe për të ndihmuar viktimat. Legjislacioni i Kosovës është i harmonizuar me BE-në, mirëpo zbatimi duhet të përmirësohet, veçanërisht sa i përket identifikimit të viktimave, duke siguruar asistencë dhe mbështetje dhe duke rritur hetimet e kryesve të veprave”, tha ai.

Fushata kundër trafikimit me qenie njerëzore pritet të zgjasë një muaj me aktivitete të ndryshme nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.