15:43 / E Enjte, 04 Maj 2023 / LB

​Kryetari i zgjedhur i Zubin Potokut pret të betohet: Nëse duhet do ta marr objektin e Komunës

Kryetari i sapo zgjedhur i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, është shprehur i gatshëm të udhëheqë me këtë komunë sapo ta kryej aktin e betimit, për të cilin tha se do të ndodhë brenda një jave.

Ai gjatë një interviste për KosovaPress ka bërë të ditur se janë në proces të harmonizimit të punëve së bashku me Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Sipas Zeqirit, nuk është synimi kryesor marrja e zyrës që ndodhet në qendër të Zubin Potokut dhe funksionimi i punës së kryetarit nga kjo zyrë, mirëpo nëse duhet domosdoshmërish, atëherë thotë se do ta bëjë një gjë të tillë.

Nën udhëheqjen dhjetëvjeçare të Listës Serbe, në zyrat e Komunës së Leposaviqit kanë gjetur strehë edhe strukturat ilegale serbe.

Zeqiri theksoi se disa drejtori të Komunës së Zubin Potokut, siç janë regjistrimi civil, Drejtoria për Mirëqenie Sociale e të tjera, të cilat janë udhëhequr nga shqiptarët, nuk janë ndalur së punuari asnjëherë, duke qenë kështu vazhdimisht në shërbim të qytetarëve.

Duke qenë i sigurt se do të jetë në krye të kësaj komune deri në fund të mandatit të plotë, ai premtoi se do të bëjë më të mirën në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Zeqiri i Partisë Demokratike të Kosovës mori 52.2% të votave dhe fitoi ndaj kundërkanditatit nga Lëvizja VEtëvendosje, Flakron Hasani.