19:47 / E Shtunë, 04 Prill 2020 / indeksADMonline

​LDK: Situatën në veri më shqetësuese e bën heshtja e Qeverisë Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shprehur shqetësimet në lidhje me zhvillimet në veri të vendit.

Situata në veriun e vendit, sipas LDK-së, përveç problemeve me pandeminë po përkeqësohet edhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të Beogradit.

Në një komunikatë për media thuhet se si gjithmonë, Serbia nuk brengoset për fatin e qytetarëve të Kosovës në veri, por qëllimi i saj është zgjerimi i ndikimit në këto komuna.

“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj se si vendimet e autoriteteve të Serbisë po zbatohen për vendosjen në karantinë të komunave në veri. Edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij ataku të drejtpërdrejt të sovranitetit të shtetit. Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet tjera kompetente duhet të garantojnë shëndetin e qytetarëve tanë në veri, të ofrojnë ndihmën e nevojshme sikur në çdo pjesë të Kosovës, por nuk duhet në asnjë mënyrë të heqin dorë nga ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin”.

“Ajo që është arritur për vite të tëra për shtrirjen e sovranitetit në veri, kthimin e pikave doganore, zbatimin e marrëveshjeve për integrimin e sistemit të drejtësisë dhe policisë, nuk bën të rrënohet nga kryeministri në detyrë dhe vartësit e tij.

Institucionet e Kosovës duhet të garantojnë sovranitetin në çdo fushë, por edhe t’ju dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie për tejkalimin e situatës së emergjencës shëndetësore”, përfundon reagimi i LDK-së.