11:59 / E Premte, 13 Maj 2022 / B O

​Mjekët amerikanë dhe italianë po operojnë në Prishtinë fëmijët që kanë probleme të lindura të zemrës

Një ekip i kardiokirurgëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia po qëndrojnë këto ditë në Prishtinë dhe, bashkë me kardiokirurgë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po operojnë fëmijët me keqformime të lindura në zemër. Këta mjekë gjatë qëndrimit të tyre njëjavor në Kosovë do të kryejnë 31 ndërhyrje, prej tyre 11 operime të hapura dhe 20 ndërhyrje me kateterizmin kardiak.

Këto operime janë mundësuar nga Misioni i radhës i Organizatës Humanitare GOLI, GOL Kosova, në bashkëpunim me mjekët vendorë. Intervenimet po kryen në Klinikën e Kardiologjisë Invazive.

Fatin që të përfitojë një shërbim të tillë mjekësor e pati edhe një vajzë 10-vjeçare e cila ka probleme me zemrën. Nëna e saj, Xhevahire Gashi, mes emocionesh, tregoi për KosovaPress se problemet te vajza e saj ishin evidentuar menjëherë pas lindjes dhe operimi ishte i pashmangshëm.

Gashi shpreson shumë që pas këtij intervenimi fëmija i saj i parë nuk do të ketë më telashe shëndetësore.

“Prej lindjes kur e kam lindur ma kanë vërejtur mjekët e spitalit dhe më pas i kam bërë kontrollet tek Ramushi (Bejiqi, mjek) dhe kanë konstatuar dhe duhet të operohet… ky është fëmija im i parë… po ndihem mirë e dhashtë Zoti nuk i përsëritet më asnjëherë”, tha nënë Xhevahirja.

Kardiologu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Harm Valvis, shprehet i lumtur që përmes misionit të tyre po iu mundësojnë fëmijëve që kanë probleme të lindura të zemrës të kenë jetë të shëndetshme.

Ai për KosovaPress thotë se gjatë qëndrimit në Kosovë do të bëjnë gjithsej 11 intervenime të hapura dhe 20 ndërhyrje me kateterizmin kardiak.

“Ekipi ynë i përbërë prej 16 mjekësh dhe infermierësh nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Italia janë këtu për një javë dhe shpresojmë se do të mund të bëjmë 11 operacione dhe 20 ndërhyrje me kateterizimin kardiak… Ky mision është për fëmijët me sëmundje të lindura të zemrës, sëmundje të zemrës me të cilat kanë lindur. Është shumë e zakonshme që fëmijët të kenë sëmundje kongjenitale të zemrës, dhe gjysma e tyre do të kenë nevojë për operacion ose një kateterizim kardiak… Operacionet dhe kateterizimi kardiak janë qenësore, për disa prej tyre është qenësore për të kryer procedurën në mënyre që të mbijetojnë, ndërsa disa të tjerëve ua zgjat jetën dhe ua përmirëson cilësinë e jetës së tyre”, u shpreh Valvis.

Kurse, Ramush Bejiqi, pediatër dhe kardiolog, evlerësoi lartë bashkëpunimin me mjekët ndërkombëtarë, derisa u shpreh se me këto intervenime 31 fëmijë kosovarëve po u shpëtohet jeta.

Bejiqi thotë se përmes këtyre intervenimeve fëmijëve po u mundësohet të operohen pa shpenzime financiare, derisa nga kjo po përfitojnë edhe profesionistët shëndetësorë.

“Intervenimet janë shumë të rëndësishme për shumë aspekte fillimisht i kanë të gjitha përparësitë, prindërit nuk sorollaten nëpër aeroporte nëpër botë dhe shtetet e tjera, por brenda 1 javë dite fëmija përpunohet pranohet, operohet dhe lirohet në shtëpi. E dyta kostoja është për Kosovën zero dhe e treta është trajnimi i stafit vendor ku bëhen intervenimet ashtu të gjitha përparësitë këto intervenime i kanë dhe gjithmonë të mirëseardhura dhe një aspekt financiar është zero, ne shfrytëzojmë resurset tona humane dhe teknike, pjesën më të madhe të materialit shpenzues e sjellin vetë”, theksoi ai.

Bejiqi shpreson se do të nisin të ofrojnë këto shërbime edhe në Kosovë pa pasur nevojë për misionet e huaja.

“Që 20 vite kemi tentime të krijojmë shërbimet tona dhe mos të jemi të varur prej misioneve të punojmë këtë punë 7 ditë në javë dhe 12 muaj por besoj që sivjet pas bisedës së fundit që kemi pasur me Ministrinë e Shëndetësisë ai ka premtuar që ne së shpejti do të kemi këtë shërbim dhe të them ashtu të kemi mundësinë e katerizimit dhe të kemi sallën e operacionit për fëmijët në Kosovë dhe të krijojmë stafin tonë mjekësor fillimisht me ndihmën e jashtme dhe gjitha ato të bëhen në Kosovë”, tha ai.

Ekipi i mjekëve nga SHBA udhëhiqet nga doktorët Harm Valvis dhe Herbert Shtern ndërsa mjekët nga Xhenoa e Italisë udhëhiqen nga kardiokirurgët Françesko dhe Ribera Santoro.

Misioni i Organizatës Humanitare- GOLI, GOL Kosova dhe më herët kanë operuar fëmijët kosovar që kanë keqformime të lindura të zemrës, një mision i tillë është zhvilluar në dhjetorin e vitit të kaluar.