13:59 / E Hënë, 18 Qershor 2018 / indeksADMonline

​Musliu: Ka pasur spekulime për Shpend Maxhunin, ai ka kaluar 18 herë verifikimin

Drejtori i ri i AKI-së, Shpend Maxhuni ka raportuar për herë të parë pas marrjes së këtij posti, para komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së.

Pas takimit zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni, Ganimete Musliu tha se në këtë takim janë informuar për gjendjen e sigurisë në vend, e cila siç tha ajo është e qetë.

Sa i përket veriut, tha se problematikat e njëjta vazhdojnë dhe më tutje në këtë pjesë, duke e sfiduar sigurinë dhe në përgjithësi gjendjen e shtetit tonë.

Ndërsa e pyetur rreth raportimit të drejtorit të AKI-së para komisionit, lidhur me dëbimin e shtetasve turq, Musliu nuk komentoi rreth kësaj çështje. Ajo tha se është themeluar një komision parlamentar hetimor dhe deri në epilogun që do ta jap ai komision, nuk mund të thonë asgjë lidhur me rastin në fjalë.

Duke e komentuar emërimin e Maxhunit në krye të AKI-së, pasi që ai gjatë dëbimit të turqve nga Kosova ishte në krye të policisë, Musliu tha se emërimi i tij nuk është bërë jashtëligjshëm, pasi që në lidhje me rastin në fjalë, nuk është kërkuar shkarkimi i tij nga posti i të parit të policisë.

Musliu mendon se kjo ishte një zgjedhje kredibile, e cila ofron një përvojë dhe një angazhim që ai ka pasur në të kaluarën. Musliu beson që AKI është në menaxhimin e duhur.

Musliu më tej pohoi se Maxhuni sa ishte në Policinë e Kosovës, ka kryer punën në mënyrën më të mirën të mundshme dhe se imazhi i policisë, nën udhëheqjen e tij ka qenë i mirë. Ndërsa tha se shpreson shumë që këtë imazh ta bartë dhe tek AKI-ja.

Musliu po ashtu tha se komisioni ka kërkuar nga drejtori i AKI-së, që të kenë një bashkëpunim më të mirë në të ardhmen, pasi që nuk kanë qenë të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me këtë institucion.