18:34 / E Premte, 01 Korrik 2022 / MSH

​Nagavci-Fuchs dakordohen për zgjerimin e bashkëpunimit në arsim Kosovë-Kroaci

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka diskutuar sot me homologun e saj kroat Radovan Fuchs mbi mundësitë e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e arsimit në mes të institucioneve qendrore dhe u dakorduan që bashkëpunimi të zgjerohet edhe në nivel të institucioneve arsimore.

Në një postim në Facebook, Nagavci ka thënë se mbështetja e Kroacisë në fushën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) ka rëndësi të madhe për Kosovën pasi ky segment i arsimit është një nga prioritetet e parapara në Planin Strategjik të Arsimit të Kosovës 2022-2026.

Në takim u diskutua edhe rreth shkëmbimit për zbatimin e arsimit dual, shkëmbimit mbi sistemin e aftësimit të mësimdhënësve para shërbimit dhe gjatë shërbimit, si dhe sistemin e avancimit në karrierë të mësimdhënësve.

“I shpreha mirënjohje po ashtu, për fillimin e partneritetit në mes të MAShTI dhe Fakultetit të Edukimit me Universitetin e Zarës për zhvillimin e kualifikimit të masterit 1-vjeçar për mësimdhënësit e ardhshëm të AAP-së, duke e trajtuar si profesion të rregulluar”, ka shkruar Nagavci.