20:14 / E Premte, 30 Mars 2018 / indeksADMonline

​Nisma kërkon hetim parlamentar për deportimin e shtetasve turq

Nisma Socialdemokrate sonte ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, ku është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, e veçanërisht për dëbimin e gjashtë shtetasve turq në Republikën e Turqisë.

Nisma vlerëson se me këtë veprim janë shkelur të drejtat e njeriut dhe janë cenuar rëndë themelet e demokracisë së vendit. Nisma vlerëson se Kosova si një shtet i pavarur dhe demokratik duhet ta zbatojë Kushtetutën e vendit dhe t’i respektojë obligimet që dalin nga e drejta dhe konventat ndërkombëtare.

“Me veprimet e djeshme nuk është respektuar hierarkia dhe as fryma të cilën synojmë ta ndërtojmë. Nisma përgëzon qëndrimin e deputetëve të pozitës dhe opozitës përkitazi me këtë çështje. Në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktojë ky veprim.

Transparenca e plotë dhe përgjegjësia e të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë veprim, është minimumi i asaj që duhet të bëhet urgjentisht!

Në funksion të kësaj Nisma kërkon hetim parlamentar për këtë çështje”, thuhet në komunikatën e Nismës.