14:36 / E Shtunë, 26 Mars 2022 / MSH

​Njëvjetori i vdekjes, Cima kujtohet me dhimbje dhe krenari

Në njëvjetorin e vdekjes, humoristi Rasim Thaçi – Cima është kujtuar nga familjarë, përfaqësues të institucioneve dhe bashkëpunëtorë. Në një pritje të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, familjarët e kujtuan me dhimbje ndërsa vet ministri tha se vendi është krenar për kontributin e Cimës. Bashkëpunëtorët e vlerësuan si emblemë të kulturës kosovare.

E bija e Cimës, artisja Adelina Thaçi – Meta tha se sa herë e kujtojnë të atin iu rikthehet fuqia dhe optimizmi.

Duke kujtuar ditët e vështira para të Cimës para se të mbyllte sytë përgjithmonë, Adelina tha ai po aktronte edhe në aktin e fundit të shfaqjes së tij jetësore pasi i kishte bërë të besonin se po ia hidhte sëmundjes.

“E kam të vështirë të ndalem sot në këtë ditë tek nata kur ndërroi jetë babi. Ngase ajo sado e shënjuar është vetëm një natë, një nga dhjetëra mijëra natë të tjera që ai na ka dhuruar e vazhdon të na i dhurojë edhe sot e kësaj dite me dashuri, buzëqeshjet e tij, me humorin e me fjalën e ëmbël mbështetëse jo vetëm për ne si familje… Një vit me parë kur po lëngonte nga COVID-i të gjithë ne si familje që ishim në kontakt intensiv me të ishim të sigurt se ai po ia dilte ta mundte këtë sëmundje. Ndoshta se shpërfaqte gjatë gjithë kohës forcën dhe kurajën, ishte me humor dhe shumë optimist, por më shumë gjase ai po aktronte edhe në aktin e fundit të shfaqjes së tij jetësore…  Sa herë të kujtojmë në familje e sa herë të kujtojnë njerëzit e këtij nën qielli, babë na kthehet fuqia, optimizmi, buzëqeshja dhe dashuria për njeriun e këtij vendi dhe për këtë vend”, tha Adelina Thaçi.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u shpreh se vdekjen e Cimës e kishte përjetuar rendë duke qenë edhe në ditët e tij të para në këtë detyrë.

Ai u shpreh se Cima ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën kosovare për të cilin tha se si shoqëri jemi krenar.

“Jemi këtu për ta kujtuar personalitetin e tij, veprën e tij edhe gjithë gjurmët e pashlyeshme që i ka lënë mbrapa dhe për cilat besoj që ju si familje jeni krenar, por edhe ne si institucione dhe si shoqëri jemi krenar. Cima ka qenë jo vetëm një pjesëtar i komunitetit artistik, por aktivist i kombit dhe kulturës pjesë e një rezistencë të përgjithshme të popullit tonë.. Për mua është posaçërisht e vështirë sepse në ditët e para të marrjes së detyrë jam përballur me lajmin për vdekjen e tij ka qenë moment i rendë nuk ka qenë forma ma e mirë për me e nis detyrën, punën… Ai jeton me veprat e tij ne e kemi për detyrë jo vetëm ta kujtojmë, por për ta dokumentuar veprën e tij”, u shpreh Çeku.

Kontributin e Cimës e kujtoi edhe bashkëpunëtori, Mustafa Lili. Duke kujtuar veprën e tij, ai tha se Cima do të mbetet emblemë e kulturës shqiptare.

“Rasim Thaçi mbetet një emblemë e kulturës sonë shqiptare në Kosovë, mbetet një emblemë e komunitetit artistik, mbetet një emblemë e krijimtarisë artistike në veçanti humoristike që meriton respekt të veçantë”, tha ai.

Rasim Thaçi Cima vdiq në moshën 71-vjeçare. Ai po vuante nga sëmundja e COVID-19 dhe ishte i shtrirë në Klinikën Infektive. Rasim Thaçi, i cili për publikun njihet si Cima, do të mbetet në kujtesën e publikut me rolet e tij të shumta komike.