16:02 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

​Njohuritë mbi kërcënimet kibernetike u mungojnë zyrtarëve të institucioneve

Këshilli Shtetëror për Siguri Kibernetike ka thënë se është e domosdoshme për të ngritur sigurinë në gjitha institucionet publike, me qëllim të vlerësimit të rëndësisë që ka siguria kibernetike, duke hartuar plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherësh koordinator kombëtar për siguri kibernetike, Selami Shkodra, tha se gjatë periudhës janë mbajtur disa takime të rëndësishme, si jashtë dhe brenda vendit, në prezantime me qëllim të mësimit të përvojave të domosdoshme me avancimin e teknologjisë.

Ai tha se përkundër përpjekjeve maksimale për ngritjen e sigurisë kibernetike, me këtë hov të teknologjisë, mund të konstatohet se njohuritë mbi kërcënimet e sulmeve kibernetike dhe sigurinë kibernetike në përgjithësi u mungojnë edhe një pjesë të madhe e qytetarëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike.

Nga zëvendësministri Shkodra u kërkua që për çdo sfidë në implementim të aktiviteteve të planit të veprimit, të njoftohet Këshilli Shtetëror për Siguri Kibernetike, i cili si i tillë mund të mbajë edhe takime të tjera konform nevojave që kanë institucionet e Republikës së Kosovës.