12:00 / E Martë, 26 Maj 2020 / indeksADMonline

​Nuk respektuan vendimet e MSh-së, 6 të arrestuar në Gjakovë

Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës, Nysret Gjurkaj, ka konfirmuar se brenda 24 orëve të fundit, janë shoqëruar për në stacionin policor 6 persona, për mosveprim sipas dispozitave shëndetësorë te pandemisë.

Ai theksoi se gjatë periudhës së pandemisë COVID 19, në përgjithësi qytetarët e kësaj komune, kanë respektuar rregullat e Qeverisë, derisa shtoi se ka pasur edhe prej tyre që kanë bërë të kundërtën.

“Me datën 25, përgjatë 24 orëshit të fundit janë arrestuar diku 6 raste të cilët Policia së bashku me inspektorët komunalë kanë vepruar te qytetarët që nuk kanë respektuar dispozitat shëndetësore gjatë epidemisë”, tha ai.

Në një rast, saktësisht në fshatin Firzë një person është arrestuar pasi që i njëjti edhe kishte ofenduar zyrtarët policorë, të cilët kishin shkuar të mbyllin një kafiteri ku nuk ishin duke u respektuar vendimin e Qeverisë. I dyshuari ishte në gjendje të dehur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në këndellje.

Po ashtu, një person është arrestuar se është parë në liqenin e Radoniqit, ndërsa katër të shoqëruar të tjerë janë hasur në rrugën kryesore, atë “Nënë Tereza”.

Në nivel vendi, gjithsej të arrestuar brenda 24 orëve, për mosveprim sipas dispozitave shëndetësorë te pandemisë, janë 16. Përpos Gjakovës, në Mitrovicë janë arrestuar 8 persona dhe në Prizren 2, ndërsa në qytetet e tjera nuk ka të arrestuar.