23:51 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

​Parlamenti i Britanisë po prishet

Ndërtesa më e famshme parlamentare në botë, Pallati i Uestminsterit, po prishet.

Kjo ndërtesë dita-ditës po shkatërrohet, çatitë e saj po rrjedhin, po ashtu përplasja e kabllove elektrike dhe tubave me avull po paraqesin një rrezik zjarri, e në anën tjetër sistemet hidraulike janë të papërshtatshme.

Pas dilemës shumëvjeçare se çfarë të bënin me këtë pallat, deputetët sot votuan në favor të largimit të Parlamentit nga ndërtesa, për të lejuar riparimet të fillojnë.

Sipas tyre, që të dy dhomat e Parlamentit duhet të lirojnë ndërtesën, por nuk është përmendur ndonjë vit se kur do ndodhë kjo. Zyrtarët thanë se vendimi nuk pritet të zbatohet para vitit 2025.

Deputetët i kishin rezistuar rinovimit kryesisht për shkak se shqetësoheshin për pasojat e shpenzimit të shumave të mëdha të parave në ndërtesën e tyre.

Në anën tjetër ekspertët kishin paralajmëruar se një vendim i tillë nuk mund të hiqej më, ndërsa deputetët kishin mundësinë e vonimit të vendimit deri në vitin 2022.

Kujtojmë se pjesa më e madhe e Pallatit aktual të Uestminsterit u rindërtua pas një zjarri të madh në 1834, por pjesë të objektit datojnë qe nga shekulli i 11-të.

Si një ikonë kombëtare dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, rinovimi i saj paraqet një operacion shumë të ndërlikuar, dhe të kushtueshëm.

Një raport i nxjerrë në shtator 2016 nga një komitet i posaçëm i deputetëve dhe anëtarëve të Dhomës së Lordëve paralajmëroi për një “krizë të afërt” që nuk mund të injorohet.

“Është e pamundur të thuhet se kur do të ndodhë kjo, por ekziston një rrezik i konsiderueshëm dhe në rritje i një ngjarjeje katastrofike, si një zjarr i madh ose një varg dështimesh në rritje në sistemet thelbësore që do të çonin në shembje të ndërtesës”, thuhet në raport.