75 Mall Live Search
23:17 / E Enjte, 04 Qershor 2026 / B XH

Ratkoci në këmbë për Aleancën, Daut Haradinaj: Vula e fitores së Aleancës u vendos sonte në Rahovec

Kandidati i Aleancës, Daut Haradinaj, ka deklaruar se “vula e fitores së Aleancës” është vendosur në Ratkoc, vendlindjen e kryetarit Latifi, duke e cilësuar tubimin si dëshmi të mbështetjes së madhe qytetare për Aleancën në komunën e Rahovecit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj tha se në Ratkoc u takua me “njerëz të jashtëzakonshëm”, burra e gra që sipas tij nuk e njohin dorëzimin dhe që punën e ndershme e kanë kthyer në mënyrë jetese.

“Vula e fitores së Aleancës sot u vendos në vendlindjen e kryetarit Latifi, në Ratkoc, mes njerëzve të jashtëzakonshëm të këtij vendi. Burra e gra që nuk e njohin dorëzimin, që punën e ndershme e kanë kod jetese”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka vlerësuar kontributin e qytetarëve të kësaj ane, duke thënë se me mundin dhe sakrificën e tyre kanë mbajtur gjallë vendin edhe në mungesë të përkrahjes institucionale në vitet e fundit.

Haradinaj ka theksuar se Aleanca mbetet e përkushtuar të jetë pranë çdo qytetari, duke përmendur punëtorët, bujqit, mjekët, arsimtarët, sipërmarrësit dhe familjet që, sipas tij, punojnë çdo ditë për një jetë më të mirë.

“Aleanca është e vendosur të qëndrojë pranë çdo qytetari. Me politika të qarta dhe zhvillimore, do të jemi mbështetje e vërtetë për secilin”, ka shtuar ai.

Sipas Haradinajt, Rahoveci me rrethinë do ta ndiejë përkushtimin, kujdesin dhe mbështetjen e Aleancës në periudhën e ardhshme, ndërsa ka falënderuar qytetarët për besimin dhe energjinë e treguar gjatë takimit në Ratkoc.