19:31 / E Martë, 29 Mars 2022 / OSH

​Polonia planifikon të heqë importet ruse të naftës

Polonia do të paraqesë planin e saj për t’u tërhequr nga importet e naftës ruse këtë javë, tha sot një zëdhënës i qeverisë.

Piotr Mueller tha se kabineti miratoi projektligjin që do të lejojë ndalimin e importeve të qymyrit rus.

I pyetur nga gazetarët se kur Polonia do të zbulojë planin e saj për të braktisur tregtinë e hidrokarbureve me Rusinë, Mueller tha se një plan i tillë do të prezantohet patjetër këtë javë nga Morawiecki dhe ministrja e klimës Anna Moskwa “sepse kjo është sfida më e madhe për sa i përket ndryshimeve në furnizim.”

Mateusz Morawiecki, kryeministri polak, tha të shtunën se Polonia do të ishte një nga të parët, nëse jo vendi i parë në Bashkimin Evropian që tërhiqet plotësisht nga qymyri, nafta dhe gazi rus.

Ai tha se plani i Polonisë për t’u larguar nga hidrokarburet ruse do të jetë “më radikali” dhe “një lloj pikë referimi për Gjermaninë dhe për shumë vende të tjera”, transmeton PAP.