17:38 / E Enjte, 20 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

​Qeveria ndihmon Federatën e Hendbollit me 300 mijë euro

Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) ka kremtuar sot 65-vjetorin e themelimit, e me këtë rast ka marrë edhe një premtim për rritjen e buxhetit nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ky i fundit tha se qeveria iu gëzohet sukseseve të kësaj federate që po zhvillon sportin e hendbollit në Kosovë, e me këtë rast njoftoi se buxheti i Qeverisë dedikuar FHK-së do të rritet në vitin e ardhshëm në 300 mijë euro.

Edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, konfirmoi rritjen e buxhetit për FHK-në, duke thënë  se viti që po lëmë pas ka qenë i suksesshëm për sportin në Kosovë.

Kryetari i FHK-së, Eugen Saraqini, tha se gjatë këtyre dekadave punë të FHK-së, janë angazhuar mijëra persona e janë arritur shumë suksese. Me këtë rast, ai u ndau mirënjohje kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Gashi.

Ndërsa kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, pati një premtim për krerët shtetërorë, teksa tha se investimi në sport i kthehet shtetit shumëfish.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetarë të federatave sportive nga Ballkani si dhe zyrtarë të lartë shtetërorë.