22:23 / E Hënë, 03 Tetor 2022 / AR

​SHBA-ja dënoi shtypjen e protestave paqësore në Iran

Shtëpia e Bardhë dënoi dhunën e ushtruar nga forcat iraniane të sigurisë në shtypjen e protestave paqësore të organizuara në vend pas vdekjes së një vajze me origjinë kurde Mahsa Amini, njoftoi sot sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karin Jean-Pierre.

“Ne jemi të alarmuar dhe të tmerruar nga raportet se agjencitë iraniane të sigurisë iu përgjigjën me dhunë dhe arrestime masive protestave paqësore të studentëve”, tha Jean-Pierre.

Protestat masive në Teheran dhe qytete të tjera në Iran shpërthyen pas vdekjes së Amini, 22-vjeç, në fillim të muajit të kaluar, katër ditë pasi dëshmitarët okularë akuzuan oficerët e policisë për rrahjen e saj gjatë arrestimit të saj.

Policia ka mohuar raportimet në rrjetet sociale se Amini është rrahur, duke thënë se ajo u sëmur duke pritur në radhë me gratë e tjera të ndaluara.

Ajo u arrestua në Teheran, ku erdhi për të vizituar të afërmit e saj, pasi dyshohet se nuk iu bind rregullave të rrepta në lidhje me veshjen e hixhabit.