19:30 / E Mërkurë, 18 Maj 2022 / AR

​Tuchel shpjegon se çfarë ndodhi me Christensen para finales së FA Cup

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka pranuar se mungesa e Andreas Christensen ne finalen e FA Cup nuk ishte një surprizë e madhe.

Christensen raportohej se ishte në mesin e lojtarëve që do të startonin në ndeshjen kundër Liverpool-it në “Ëembley” para se të fliste me Tuchel pak orë para ndeshjes, duke i thënë se ndjente se nuk mund të luante.

Reprezentuesi danez, i cili pritet të nënshkruajë për Barcelonën si një lojtar i lirë në verë, ka kaluar një sezon me ulje dhe ngirtje të formës me ekipin londinez, përcjellë KosovaPress.

Për këtë arsye, Tuchel ka treguar se ai e priste se me lojtarin mund të lindte ndonjë problem, si dhe pranoi se qendërmbrojtësi mund të ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit për klubin.

“Nuk jam ende i sigurt nëse Christensen do të përfshihet në ekip në fundjavë. Andreas erdhi në mëngjesin e ndeshjes dhe më tha se nuk ishte gati për të luajtur. Ai kishte arsyet e tij dhe ato mbeten private dhe konfidenciale, por nuk ishte hera e parë sepse gjatë javëve të fundit kishim disa situata të ngjashme me të”, tha Tuchel në një konferencë për media.

“Ne menduam se jemi në një ecuri të mirë dhe zhvillim të mirë, sepse ai luajti shumë fuqishëm në ndeshjen para finales kundër Leeds, por ai më tregoi situatën e tij të cilën unë dhe klubi e respektuam dhe do ta respektojmë. Tani unë nuk pres që ta kem lojtarin në dispozicion për ndeshjen e radhës. Nuk ka asnjë mundësi për këtë”, tha në fund Tuchel.

Ndryshe, 26-vjeçari ka bërë gjithsej 33 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, ai ka luajtur vetëm një herë në gjashtë ndeshjet e fundit.