17:15 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / Blerim

​Veseli: Të verbrit do t’i përfshijmë sa më shumë në vendim-marrje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar selinë e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, me ç’rast i ka ofruar mbështetje dhe njëkohësisht ka shprehur mirënjohjen për punën që bën kjo organizatë.

Përmes një statusi në Facebook, Veseli ka thënë se këtë vizitë e ka realizuar me rastin e Javës së Njeriut me Shkop të Bardhë, ku ka thënë se si PDK do të kujdesen që të kenë pjesëtarë të këtij segmenti të shoqërisë në listat e kandidatëve për t’i përfshirë sa më shumë në vendim-marrje.

Ky është statusi i tij i plotë:

Në kuadër të Javës së Njeriut me Shkop të Bardhë, vizitova selinë e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, për të shprehur mirënjohjen për punën fisnike që bën kjo organizatë si dhe për të treguar përkrahjen për pjesëtarët e saj.

Përkujdesja për ata që janë në nevojë dhe solidariteti për më të dobëtit janë një traditë e çmuar e popullit tonë dhe qëndrojnë në thelb të programit konservator të Partisë Demokratike të Kosovës.

Si kryetar i Kuvendit të Kosovës, unë jam angazhuar për të pasur të punësuar në atë institucion persona me aftësi të kufizuar. Po ashtu, si kryetar i PDK-së do kujdesem që të kemi pjesëtarë të këtij segmenti të shoqërisë në listat e kandidatëve tanë për t’i përfshirë sa më shumë në vendim-marrje.