08:52 / E Diele, 07 Qershor 2020 / indeksADMonline

​Zeka kërkon të zbatohet Pakoja Emergjente, pret që rimëkëmbja ekonomike të ndodhë vitin e ardhshëm

Rikuperimi ekonomik pas dëmeve të shkaktuara nga Covid-19, mund të bëhet deri në vitin 2021 nëse nuk përsëritet ky virus gjatë këtij viti.

Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka, ndonëse shpreh pakënaqësi për mos implementimin e Pakos Emergjente Fiskale, respektivisht masat për bizneset dhe për punëtorë të sektorit privat.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka mirëprit krijimin e Qeverisë së re të Kosovës në një kohë kur vendi ka nevojë të jashtëzakonshme për avancimin e agjendës së reformave biznesore.

Përballja me pasojat e pandemisë COVID-19, në ekonomi, si dhe një proces dinamik legjislativ duhet të jenë në maje të prioriteteve të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, aprovimi i një pakoje gjithëpërfshirëse të rimëkëmbjes ekonomike e cila duhet të jetë produkt i një procesi të dialogimit me të gjithë hisedarët e rëndësishëm në Kosovë duhet të jetë i një rëndësie të jashtëzakonshme.

Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane shprehë shqetësimin e tij për moszbatimin e masave të Pakos Emergjente për biznese. Sipas tij, është një numër i madh i ankesave nga bizneseve për mos implementim të kësaj pakoje sa i përket masës për qiratë.

“Shqetësimi ynë është për mos implementimin e të gjitha masave të parapara në kuadër të Planit fiskal emergjente, i cili është aprovuar muaj më parë, ende ka masa të cilat nuk janë zbatuar deri në fund. Ende vazhdojmë të marrim ankesa nga ana kompanive të cilat nuk kanë marrë kompensimin për pagesën e qirasë. Edhe ka kompani, edhe punonjës të kompanive të cilët janë ankuar për mos pranimin e kompensimit për pagat e muajt mars, prill dhe maj ashtu siç është paraparë me planin emergjent fiskal. Kjo është më se e nevojshme që të përfundojnë këto masa. Madje, një propozim i yni, edhe propozim i Bankës Qendrore ka qenë që disa prej këtyre masave siç është kompensimi i pagave dhe qirave të vazhdoj edhe për tej muajt maj, duke pasur parasysh që likuiditeti tek ndërmarrjet ka qenë njëri prej problemeve më të shprehura gjatë këtyre javëve të kaluara”, deklaron Zeka.

Pakoja duhet të ofrojë mbulesë proporcionale të dëmeve që janë shkaktuar në të gjithë sektorët pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, por në të njëjtën kohë të shërbejë edhe si kornizë për ristrukturimin e gjithmbarshëm të ekonomisë së vendit.

Ndërsa, sa i përket rikuperimit të ekonomisë pas pandemisë, Zeka në një intervistë ka theksuar se nëse çelet ekonomia në tërësi dhe nuk përsëritet Covid-19 këtë vit, rimëkëmbja ekonomike arrihet për gjatë vitit 2021.

“Nëse nuk do të ketë një ndryshim dhe do të ketë përmirësim të mëtutjeshëm të situatës në aspektin epidemiologjik, atëherë shpresat janë që ashtu siç ka paraparë Banka Botërore të shkojmë me skenarin më optimist të BB-së, që do të thotë se nëse masat kufizuese hiqen para tre mujorit të dytë të këtij viti, atëherë rimëkëmbja ekonomike të arrihet për gjatë vitit 2021. Përderisa nuk do të shohim sërish përsëritje ose rivendosje të masave kufizuese, ose në skenarin më të keq të kemi sërish rikthim të ndonjë vale të re të pandemisë në vjeshtën e këtij viti, ashtu siç diskutohet kohë pas kohe”, thotë ai.

Po ashtu, Zeka pret që përgjatë këtij viti do të ketë edhe rënie të remitencave dhe rënie të shpenzimeve nga mërgimtarët.

“Tashmë janë bërë parashikimet e zymta qoftë nga institucionet financiare ndërkombëtare, por edhe nga institucionet tona vendore që megjithatë ne do të shohim një rënie të remitencave përgjatë këtij viti që lidhët edhe me reduktimin e vizitave nga prestarët e diasporës së Kosovës për gjatë këtij viti. Ndoshta është herët të konkludojmë për diçka të tillë, së paku trendët e dërgesave në dy muajt e kaluar prej shpërthimit të pandemisë e tutje ka qenë goxha pozitiv. Edhe këtu nuk mund të konkludojmë nëse kjo ndërlidhet me faktin që dërgesat janë dërguar vetëm përmes kanaleve zyrtare pas mbylljes së kufijve dhe rrjedhimisht, remitencat jo që nuk kanë shënuar rënie, por kanë shënuar madje edhe ngritje së paku sa i përket statistikave zyrtare, por megjithatë unë besoj se do të ketë rënie të remitencave, besoj që do të ketë një rënie të shpenzimeve që diaspora do t’i bëjë në Kosovë për gjatë vitit 2020. Kjo edhe për shkak të zvogëlimit të disa prej aktiviteteve ekonomike, ndalimit të organizmit të ahengjeve familjare, në të cilën besohet që shpenzohen mjete të konsiderueshme të dërgesave nga diaspora”, thekson Zeka.

Oda Amerikane përsërit qëndrimet e saj të mëhershme se programi i Qeverisë së re duhet të theksojë adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve që lidhen me kapitalin njerëzor, respektivisht zvogëlimin e hendekut në boshllëkun e shkathtësive, funksionalizimin e shtetit të së drejtës, largimin e barrierave në lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si dhe reformimin e vazhdueshëm të mjedisit të të bërit biznes i cili do të ishte nxitës për investimet e jashtme dhe të brendshme.