16:35 / E Martë, 11 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

1.35 milionë njerëz vdesin çdo vit në aksidente me makina, zbulon studimi i fundit

Çuditërisht, motoçiklistët përbëjnë më shumë se 1/4 e të gjitha vdekjeve në rrugë.

Në fakt, një raport i ri thotë se rreth 1.35 milionë njerëz vdesin në rrugë çdo vit dhe ky është një numër i frikshëm. Për ta vënë atë në perspektivë, 1.35 milion është përafërsisht popullsia e një qyteti të madhësisë së Kopenhagës.

Raporti në fjalë është raporti i fundit i statusit global mbi sigurinë rrugore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Ajo zbulon se shkaku kryesor i vdekjes të fëmijëve dhe të rinjve të moshës ndërmjet 5 dhe 29 vjet është aksidenti rrugor.

Tendenca e vetme pozitive e formuar nga raporti prej 424 faqesh (po, 424 faqe!) është se normat e vdekjes në krahasim me madhësinë e popullsisë botërore janë stabilizuar vitet e fundit, transmeton IndeksOnline.

Si rregull i përgjithshëm, rreziku i vdekjes në rrugë është afërsisht tre herë më i lartë në vendet me të ardhura të ulëta krahasuar me vendet e pasura. Shkalla më e lartë e 26.6 vdekjeve për 100,000 banorë është në Afrikë dhe më e ultë e 9,3 për 100,000 është në Evropë.

Krahasuar me raportin e mëparshëm të OBSH nga 2015, Amerika, Evropa dhe Paqësori Perëndimor kanë raportuar të gjitha një rënie në normat e vdekjeve në rrugë.

Studimi thotë se këmbësorët dhe çiklistët përbëjnë rreth 26 përqind të të gjitha vdekjeve të trafikut. Kjo shifër është veçanërisht e lartë në Afrikë (44 përqind) dhe në Mesdheun Lindor (36 përqind). Nga ana tjetër, motoçiklistët dhe pasagjerët përbëjnë afërsisht 28 përqind të të gjitha vdekjeve në rrugë. /IndeksOnline/