19:24 / E Mërkurë, 17 Nëntor 2021 / AR

1.6 milionë vaksina të administruara, Kurti del me një apel për qytetarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas vizitës në Ministrinë e Shëndetësisë, ku u prit nga ministri i ri, Rifat Latifi dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ai u informua për ecurinë e procesit të vaksinimit dhe situatën epidemiologjike, raporton Indeksonline.

Kurti përmes një video-mesazhi njoftoi se sot kemi tejkaluar administrimin e 1.6 milionë vaksinave kundër Covid-19.

Po ashtu ai bëri thirrje për vaksinim, pasi është e vetmja mënyrë për ta mposhtur virusin.

“Me një doze janë vaksinuar 64 për qind e populates mbi moshën 16-vjeçare ndërsa me dy doza janë vaksinuar mbi 56 për qind.

Profesionistëve shëndetësor u jemi shumë mirënjohës për angazhimin vetëmohues në vaksinim dhe në shërbim të shëndetit publik.

Situata epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë është më e mira në Ballkanin Perëndimor e ndër më të mirat në gjithë Evropën. Në 30 ditët e fundit, gjithsej kemi numër njëshifror të vdekjeve, ndërsa në dy javët e fundit ka rënë me dy të tretat numri i infeksioneve.

Por asgjë nuk ka përfunduar. Në veçanti tani kur kemi dy variante në qarkullim. Variantin Delta që është akoma dominues dhe variantin Delta Plus. Prandaj duhet të përgatitemi më mire.

Vaksinimi është dëshmuar që është mënyra më efikase për tu mbrojtur dhe për ta mposhtur virusin”, tha ai./Indeksonline/