14:01 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / OSH

1 mijë e 300 euro gjobë për personin nga Prizreni/ Mori me qira makinën, kopjoi çelësin pastaj e vodhi!

Gjykata Themelore e Prizreni, ka shpallur aktgjykimin ndëshkues ndaj të akuzuarit B.B.

B.B. më 23 qershor të vitit 2018, pas mesnate në rrugën “W.W”, kishte vjedhur makinën e tipit “Vw Golf5”, pronë e të dëmtuarit N.B, e cila po qëndronte e parkuar para firmës së të dëmtuarit.

I akuzuari B.B. kishte kopjuar çelësin e asaj veture rreth një muaj më parë, derisa e kishte marrë me qira.

B.B. është gjobitur me 1 mijë e 300 euro,  të cilën obligohet ai ta paguajë brenda prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Komunikata e plotë:

Prizren, 26 nëntor 2020 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i përgjithshëm (gjyqtari i rastit Fatmir Krasniqi), ka shpallur aktgjykim ndëshkues, ndaj të akuzuarit B.B., për shkak se:

Më 23.06.2018, rreth orës 01:00, pas mesnate, në rrugën “W.W”, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete ia merr pasurinë personit tjetër, në atë mënyrë që derisa makina e tipit “VV Golf5”, pronë e të dëmtuarit N.B., e cila veturë po qëndronte e parkuar në parkimin e firmës së të dëmtuarit, i pandehuri B.B., duke shfrytëzuar kopjen e çelësit të të njëjtës veturë, të cilën e kishte kopjuar rreth një muaj para ditës kritike gjatë kohës sa e kishte pasur të marrë me qira atë, e hap makinën në fjalë dhe me të largohet nga vendi i ngjarjes.

  • kësodore ka kryer veprën penale vjedhje nga neni 325 par.1 të KP-së.

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i ka shqiptuar:

  • Ndëshkimme GJOBË në shumën prej 500 eurosh dhe dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Pas shpalljes së aktgjykimit, me propozimin e mbrojtësit dhe me pëlqimin e të akuzuarit (në kuptim të Kodit Penal të Kosovës), dënimi me burgim i është zëvendësuar në ndëshkim me gjobë në shumën prej 800 (tetëqind) euro.

Andaj, gjykata të akuzuarit ia ka shqiptuar ndëshkimin UNIK me gjobë në shumën prej 1.300 (njëmijëetreqind) eurosh, të cilin obligohet ai ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Nëse i akuzuari nuk e paguan gjobën në afatin e caktuar, ai do t’i zëvendësohet me dënim me burg, duke llogaritur një (1) ditë burgim për çdo njëzet (20) euro të gjobës.

I akuzuari është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 (tridhjetë) eurove dhe shumën prej  30 (tridhjetë) eurosh në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.