10:44 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

10 mijë faqe dokumente dhe prova dëshmie për krimet e Serbisë, do të dorëzohen para drejtësisë

Jetlir Zyberaj, këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme në dorëheqje, Behgjet Pacollit, përmes një shkrimi të bërë në llogarinë Facebook, ka thënë se një ndër synimet kryesore të Pacollit, ka qenë edhe dëshmia e krimeve të luftës të kryera nga Serbia gjatë gjenocidit të saj dhe sundimit të aparteidit në Kosovë.

“Mbledhja e dokumenteve dhe materialeve të tjera të rëndësishme që tregojnë barbarinë e Serbisë ka qenë një element kryesor i punës.

Rreth 10 mijë faqe dokumente dhe prova janë gjetur që nuk janë trajtuar ende nga drejtësia ndërkombëtare.

Për shkak se ata dështuan ne duhet të vazhdojmë dhe të ndjekim kriminelët e luftës”, ka shkruar Zyberaj.

Ai tutje ka thënë se shumë shpejtë këto dokumente do të dorëzohen, për ta zbardhur të vërtetën e terrorit serb.

“Në ditët në vijim, gjatë një takimi me Prokurorin Special të Kosovës, këto dokumente dhe prova do të dorëzohen me qëllim sjelljen e kriminelëve serb të luftës para drejtësisë. Duke i kuptuar edhe limitet qe ka sistemi ynë i drejtësisë, bashkë me prokurorinë do të gjejmë zgjidhjen e drejtë që kriminelët të nxierren para ligjit.

Në një kohë kur ata që mbështesin Millosheviçin marrin çmimin Nobel dhe mohimi i masakrave dhe akteve gjenocidale të kryera nga Serbia konsiderohen si normalitet, ne duhet të flasim dhe të ri-kujtojmë botën për atë që ndodhi në Kosovë”./Indeksonline/