16:59 / E Diele, 12 Shtator 2021 / AR

100 njerëzit më me ndikim në botë: Për kë votoi publiku në sondazhin e TIME?

Në sondazhin e publikut të organizuar nga revista TIME – ku iu kërkua lexuesve që të votonin për ata që mendojnë se duhet të përfshihen në listën vjetore të njerëzve më me ndikim në botë – Britney Spears u rendit në vendin e parë.

Pothuajse 1.8 milion vota ishin për yllin e popit (4% në total). Britney është në qendër të lajmeve kohëve të fundit si pasojë e çështjes së kujdestarisë së saj, e cila nxiti edhe nismën #FreeBritney.

Punonjësit e Kujdesit Shëndetësor u renditën të dytët, me 3.1% të votave, ndjekur nga Zhvilluesit e Vaksinave, me 2.5% të votave. Në vendin e katërt u rendit grupi K-Pop, BTS (2.1%), ndërsa Top5 u mbyll me gjimnasten Simone Biles, e cila bëri bujë gjatë Lojërave Olimpike në Tokio duke vendosur në qendër të vëmendjes shëndetin mendor.

“100 njerëzit më me ndikim në botë” (TIME100) është një listë vjetore e TIME, e cila publikohet që prej vitit 1999. Vendosja në listë shihet si diçka e rëndësishme për shumë figura, ndonëse TIME e bën të qartë që emrat vendosen në varësi të ndikimit në botë, pavarësisht pasojave të veprimeve të tyre. Vetëm fituesi i Sondazhit të Lexuesit vendoset nga publiku. Renditja finale votohet nga redaktorët e TIME nëpër botë.

Renditja TIME100 për vitin 2021 do të publikohet më 15 shtator.