75 Mall Live Search
10:44 / E Premte, 05 Qershor 2026 / KV

100 prokurorë në terren, prokuroria mobilizohet për zgjedhjet parlamentare

Zyra e kryeprokurorit të shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës,  të cilat do të mbahen të dielën më 7 qershor 2026, prokurori i shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje. 

Prokurori i shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë te prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.