14:23 / E Martë, 15 Mars 2022 / B O

1000 euro gjobë furrës, buka peshonte shumë më pak se sa që duhej të shitej!

Inspektorët e tregut në Mitrovicë dje kanë shqiptuar gjobë në vlerë prej 1 mijë euro ndaj një subjekti afarist (qendër tregtare) me lokacion në qytetin e Mitrovicës.

Inspektorët komunal kanë potencuar se kjo gjobë është shqiptuar për arsye se produkti bukë 450 gr i vendosur për shitje me çmim prej 0,35 cent, nuk është përputhur me peshën e caktuar, pasi që gjatë matjes në peshore të kalibruar për produkte ka rezultuar se pesha e bukëve në shitje ka qenë 357 gr dhe 368 gr.

Me këtë rast ky veprim nga ana e inspektorëve është vlerësuar në kundërshtim me Ligjin Nr. 06/L-034 për mbrojtjen e konsumatorit, prandaj është shqiptuar edhe gjoba në vlerë prej 1 mijë euro për subjektin afarist nga inspektori i tregut./Indeksonline/